Është arritur pajtim gjyqësor në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera.
Marrëveshja është arritur në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që palët kanë shprehur vullnetin e tyre për një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kësaj marrëveshje e paditura UP, detyrohet që paditësit Avdullah Hoti t’ia kompensojë shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë, paditëses Hykmete Bajrami shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë dhe paditësit Kujtim Shala shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë.
Të gjitha këto shuma të lartcekura, në emër të kompensimit të diferencës së pagës sekondare për periudhën kontestuese dhe atë për tërë vitin 2015, ndërsa për vitin 2016 vetëm për muajin janar, shkurt, mars, prill dhe maj.
Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të procedurës, palët ndërgjyqëse janë dakorduar që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta.
Fillimisht, përfaqësuesi i paditësve, avokati Durim Osmani dhe përfaqësuesi i të paditurës UP, Safet Thaqi, e kanë njoftuar gjykatën se janë pajtuar që këtë lëndë ta zgjidhin me pajtim gjyqësor.
Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve ndërgjyqëse e ka lejuar gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca, e cila tha se ky pajtim e ka fuqinë e aktit përmbarues.
Sot vazhdon gjykimi në rastin ku Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Kujtim Shala kanë paditur UP-në
Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara.
Lidhur me këtë rast, në seancën e mbajtur më 16 nëntor 2021, ishte dëgjuar eksperti financiar i cili kishte elaboruar ekspertizën e punuar më 5 tetor 2021.
Ndryshe, me precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si dhe të detyrohet UP-ja që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aty kërkohet që UP t’ia paguajë paditësit Avdullah Hoti shumën prej 5 mijjë e 901 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 590 euro e 16 centë, në emër të tatimit në burim, shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë në emër të diferencës së pagës sekondare), si dhe kamatën ligjore në shumën prej 2 mijë e 302 euro e 69 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.
Tutje, në precizim thuhet se paditësja Hykmete Bajrami ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 907 euro e 45 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 490 euro e 75 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 881 euro e 45 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.
Kurse, paditësi Kujtim Shala ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 376 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 437 euro e 66 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 720 euro e 96 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.
Sipas padisë të ushtruar më 9 shkurt 2018, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala po kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave dhe të ardhurave tjera.
Në padi thuhet se, paditësit me të paditurën në periudha të ndryshme kanë lidhur kontratë pune, si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Filologjisë. Gjegjësisht, thuhet se Hykmete Bajrami ka lidhur kontratën e punës si mësimdhënëse me UP më 13 shtator 2004, Kujtim Shala me 12 janar 2009, kurse Avdullah Hoti më 6 mars 2002, të cilat kontrata kanë vazhduar përmes aneks kontratave ose në mënyrë të vetëkuptueshme, kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdojnë ende.
Sipas padisë, në bazë të kontratave lëndore, palët paditëse kanë pasur obligim si punëmarrës, ndërsa UP ka pasur obligim si punëdhënës, në kuptim të çështjes kontestuese, pagimin e pagave për punën e kryer sipas kontratave lëndore dhe pagimin e të ardhurave tjera të punëmarrësit.
Mirëpo, në padi thuhet se përfaqësuesi i UP-së, Ramadan Zejnullahu, më 10 dhjetor 2014, nxjerr vendimin në bazë të cilit vendoset që palëve paditëse nuk i kompensohen pagat dhe të ardhurat personale sipas kontratës, përveç orëve të realizuara si mësimdhënës.
Tutje thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë shfuqizon vendimin e UP-së, ku si pasojë vet pala e paditur, më 11 maj 2016, nxjerr vendimin në bazë të cilit e revokon vendimin lëndor dhe vendoset t’i paguhet paga në mënyrë retroaktive, po që nga kjo datë thuhet se pala e paditur nuk ka paguar pagat sipas vendimit të fundit të datës 11 shkurt 2016.
Paditësit këtë padi e kanë bazuar në nenin 55-58 lidhur me nenin 11, paragrafi 9 të Ligjit të Punës, ku thuhet se është përcaktuar e drejta e punëmarrësit për kompensimin me pagë dhe të ardhurat tjera, në kundërvlerë të punës së kryer në cilësinë e punëmarrësit ndaj punëdhënësit.
Andaj, mbi këtë bazë po kërkohet që të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësve, Avdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami, si dhe të obligohet UP që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara me kamatë ligjore duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi