Shefi i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në interpelancën ka thënë se Kosova shkon në dialog për disa gjëra.
Para deputetëve, i pari i ekzekutivit, tha se Kosova në dialog po shkon për të arritur njohje reciproke me Serbinë, anëtarësimin në OKB dhe për të siguruar njohje nga 5 shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, raporton Ekonomia Online.
“Për fat të keq, taksa vetëm e kurthoi Kosovën drejt rrugëve integruese. Ndërsa në këtë situatë për të hapur alternativa të reja, faktori amerikan pranoi që më mos të jetë vetëm arbitër jashtë palëve. Për herë të parë jemi protagonist, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, njohjen reciproke, sigurimin e ulëses në OKB dhe njohjen nga 5 shtetet e BE-së”, ka thënë kryeministri Hoti.
Tutje, ai deklaroi se Kosova është projekti më kulmor i kombit shqiptar dhe etnive të tjera në vend. Sipas tij, mbi këtë projekt nuk mund të negociojë askush.
“Grupime populiste nuk morën përgjegjësinë dhe rrezikuan barrikadimin ndaj miqve të Kosovës. Këtë proces të dialogut ne duhet ta shikojmë si mundësi”, tha kryeministri.Në fund, kryeministri Hoti bëri thirrje që në ‘përballjen përfundimtare me Serbinë, duhet të jenë të gjithë bashkë’.