Avdyli: Qeveria e ardhshme do të jetë LDK-PDK

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 23:15 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka sqaruar vendimin e tij për të mos e votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Avdyli ka shprehur pakënaqësinë e tij për prishjen e koalicionit qeverisës mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk është dashur që ne t’i shkaktojmë shqetësim qytetarëve tanë, përkundër të gjitha problemeve që i kanë”, ka thënë Avdyli.

Ai ka thënë se nuk e mbështet mocionin për rrëzimin e qeverisë, pasi një gjë e tillë i hap rrugën kthimit të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet.

“Nuk e kam nënshkruar mocionin, nuk e votoj qeverinë e ardhshme me PAN-in”, ka deklaruar Avdyli.

“Po shkojmë drejt një qeverie ku patjetër do të jetë PDK-ja”, ka theksuar ai.

“Qeveria e ardhshme do të jetë LDK-PDK, për këtë ne nuk e kemi marrë mandatin”, ka deklaruar Avdyli.

“Herën e kaluar ju kemi thënë se s’bëjmë koalicion me PDK-në, tash do t’i themi po bëjmë…”, ka shtuar ai.

Avdyli ka treguar se përveç tij, mocionin nuk do ta votojnë edhe tre kolegë të tij nga LDK-ja.

“Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Ardian Shala dhe Fatmir Rexhepi”, ka deklaruar Avdyli, kur është pyetur për emrat e deputetëve që do të votojnë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Të ngjashme