Kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, do të jetë ‘dora e djathtë’ e kryeministrit Ramush Haradinaj në qeverinë e cila pritet të formohet në fund të kësaj jave.
Arifi po ashtu ka konfirmuar se do të jetë shef i stafit dhe këshilltari i parë i Ramush Haradinajt.
“Do të jem shef i stafit edhe këshilltar i parë i kryeministrit”, ka thënë ai për lajmin.net.
Arifi, më tutje, tha se nesër do të bëjnë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryeministrit dhe do t’i paraqesin emrat e ministrave.
“Nuk e di, sepse është çështje procedurale. Nesër do të kërkojmë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryeministrit, e aty do të dorëzohen edhe emrat e ministra”, ka thënë ai.
Ndërkohë, seanca e radhës për mandatimin e Ramush Haradinajt për kryeministër do të mbahet të shtunën me datën 9 shtator.