Avni Dehari: Kryeprokurori Shala nuk na dha raportin, kjo është vrasja e dytë për Astritin

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 17:31 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prindërit dhe bashkëshortja e Astrit Deharit, së bashku me avokatin e tyre, Tomë Gashi, kanë mbajtur konferencë për medie, pasi Prokuroria Themelore në Prizren nuk ua ka dhënë sot raportin rreth rastit të vdekjes së Astritit, raporton EkonomiaOnline.

Avni Dehari, prindi i Astritit, akuzoi kryeprokurorin Admir Shala se nuk po ua jep me qëllim raportin në gjuhë origjinale, pasi që sipas tij, po dëshirojnë të manipulojnë me rastin.

“Ne sot kemi qenë në Prizren pa ndonjë termin edhe ose dje kam kërkuar termin por që kryeprokurori nuk më ka kthyer përgjigje. Me të marrë lajmi që raporti ka përfunduar jam sugjeruar që raportin ta kërkoj nga Merita Gashi, ne momentin që e kanë hapë telefonin ata kanë qenë arrogant me mua duke më thënë se nuk e kam numrin. Pas një kohe më shkruan Merita Gashi ku më thotë që për raportin me u drejtua te kryeprokurori Admir Shala”, tha ai.

“Akuzojnë mediet dhe avokatët që kinse po e politizojnë këtë çështje. Sikur të na jepnin një kopje të origjinales, atëherë do të ishim në rregull, mirëpo nuk duan ta bëjnë transparentë dhe duan të fshehin fakte. Për ne si familje kjo është vrasja e dytë. Vrasja e parë është atë ditë në burg, ndërsa e dyta është bërë sot”, tha ai.

Arta Dehari: Mosdhënia e raportit, e papranueshme

Bashkëshortja e Astritit, Arta Dehari, tha se mos dhënia e raportit nga ana e prokurorisë është e papranueshme për ta.

“Kryeprokurori na tha se ata nuk na japin raportin pasi nuk është i përkthyer edhe kinse nuk kanë kopje të raportit, kjo për ne është e papranueshme”, tha ajo.

Nëna e Astritit: Duan të jemi prezent kur hapet zarfi

Edhe nëna Xhemilja, po shprehet e mllefosur në institucionet e drejtësisë.

“Ai e ka qelë zarfin edhe e ka qu ku ka dashtë vetë, qysh muj me i besu atij, unë nuk e dua raportin të përkthyer po qashtu qysh e ka qu Instituti.  Ai tha nuk kemi as kopje. Ata a po donë me qëllim me na shkatërrua apo për çka e kanë nuk e di”, tha ajo.

“Përmbajtja e raportit nuk lun shumë rol pasi ne e dimë se çka ka ndodhë me Astritin, pyetja është se pse nuk po na ipet origjinali, pse mos me qenë ne kur u hap zarfi, ne kemi thanë se e pranojmë raportin por ne e dimë se çka ka ndodhë me djalin tonë. Kur është arrestuar Astriti, hetuesi na ka thanë se e dimë që Vetëvendosja nuk ka të bëjë me këtë, por që jemi të detyruar me marrë. 3 javë më parë na ka thanë Naser Makolli se nëse ju thirr gruaja ime edhe ju thonë që Astriti është sëmurë, dijeni që po më qesin prej burgut natën.  Ne kemi thanë që kanë me dënua, por nuk e kemi pritë që vjen deri te vrasja”, tha ajo.

Gashi: Astrit Deharin e kanë vrarë

E avokati Tomë Gashi, krejt këtë sjellje të institucioneve të drejtësisë, po e quan si lojë të ndytë.

Ai shprehet i bindur se Astrit Dehari është vrarë.

“Unë në çdo shkresë që e kam ba ka qenë politike pjesërisht pasi unë jam i bindur se sipas dëshmive Astriti u vra, arsyeja pse është vra Astriti ka qenë politike pasi ka qenë anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Ata po përgatisin në strategji se çka do të thonë se kur do ta përkthejnë këtë raport, kjo lojë e ndytë e institucioneve të Kosovës, ne nuk e kemi mendua që kjo do t’i ndodhë një të riut në një institucion. Nuk kanë pas arsye që unë të jem në Prizren, pasi prindërve u është thënë se raporti do t’u jepet”, tha avokati Gashi.

Të ngjashme