Avokatët e të akuzuarve të Banjskës s’e pranojnë aktakuzën, i kundërshtojnë provat e Prokurorisë

Prishtinë | 09 Tet 2024 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Avokatët e tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, pas përfundimit të seancës, kanë thënë se nuk e pranojnë aktakuzën dhe do t’i kundërshtojnë provat e Prokurorisë, raporton Ekonomia Online.

Jovana Filipoviq, mbrojtëse e të akuzuarit Dusan Maksimoviq, tha se do të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

“Maksimoviq Dushan sot është deklaruar se nuk është fajtor për veprat që i ngarkohen me këtë aktakuzë, ai pretendon se nuk ka asnjë përfshirje të tij në këto vepra penale, kështu që në përputhje me këtë ne do të paraqesim kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave dhe shpresojmë se gjykata në shqyrtimin e provave do të jetë e të njëjtit mendim si ne”.

Ljubomir Pantoviq, mbrojtësi i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq tha se nuk dëshiron t’i tregojë arsyet se pse të akuzuarit Spasojeviq dhe Toliq zgjodhën të mosdeklarohen rreth fajësisë.

“Dy të pandehurit e parë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore që të mos deklarohen për fajësinë, kjo e drejtë garantohet nga Kodi i Procedurës Penale, dhe nuk do të komentoja, nuk do të theksoja veçanërisht arsyet pse ata zgjodhën këtë mënyrë të deklarimit sot”.

Ndërsa, avokati i Vladimir Toliq, Milos Deleviq tha se nuk mund ta pranojnë këtë aktakuzë, raporton EO.

“Vladimir Toliq nuk ka dashur të deklaroj fajësinë në këtë fazë të procedurës, ne nuk mund ta pranojmë këtë aktakuzë, përmbajtjen e saj, dhe veçanërisht kualifikimet e veprës”.

“Natyrisht, nuk e kontestojmë se ai ka qenë pjesëtar i grupit të armatosur që ka ndodhur në Banjskë atë ditë, mirëpo, siç e thashë, tani për tani nuk mund ta pranojmë këtë përmbajtje të aktakuzës, do të shfrytëzojmë të drejtën e kundërshtimit në aktakuzë, do ta shohim mendimin e kryetarit të kolegjit, nëse është e nevojshme, dhe të Gjykatës së Apelit por edhe Supremes”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme