Në mungesë të avokatëve Arianit Koci, Granit Vokshi dhe Xhevahire Klopper, ka dështuar të mbahet gjykimi, i paraparë për të mërkurën, ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin që njihet si “Toka”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mbrojtësi i të akuzuarit Avni Maxhuni, avokati Granit Vokshi, para dy ditësh përmes një parashtrese e kishte informuar gjykatën se nuk do të mund të jetë prezent në këtë seancë, me arsyetimin se ishte i angazhuar në mbrojtjen e personave që do të intervistohen në Hagë.
Sipas tij, meqenëse avokati Vokshi e kishte informuar gjykatën për mungesën e tij, edhe mbrojtësi i Shqipe Maxhunit, avokati Arianit Koci, gjendej bashkë me të në Hagë.
“Me siguri avokati Koci e kishte vlerësuar faktin notor se është bashkë me avokatin Vokshi në Hagë”, ka thënë Kalludra.
Në këtë seancë ka munguar edhe mbrojtësja e të akuzuarës Lumnije Sopjani, avokatja Xhevahire Kloppner, e cila nuk e kishte arsyetuar mungesën, dhe gjykata nuk kishte informata për arsyen e mungesës së saj.
Gjykatësi Kalludra tha se mungesa e tre avokatëve ishte e papranueshme, papërgjegjësi totale ndaj sistemit të drejtësisë, dhe sipas tij, kjo do të ishte hera e fundit që ky shqyrtim gjyqësor shtyhet në këtë mënyrë për shkak të mungesës së avokatëve.
Prandaj për mungesën e tyre, sipas tij, do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës.
Ai njoftoi se kishte pranuar një parashtresë nga mbrojtësi i të akuzuarit Fahredin Gashi, avokati Gëzim Kollqaku, me kërkesë për ekzaminimin psikiatrik të të akuzuari Gashi.
Sipas avokatit Klloqaku, kjo kërkesë duhet të aprovohet pasi sipas tij, kishte bashkëngjitur prova materiale që vërtetonin se i mbrojturi i tij nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Lidhur me këtë kërkesë, prokurori special Arian Gashi, kërkoi afat për tu përgjigjur në këtë kërkesë me shkrim, pasi sipas tij, të njëjtën e kishte pranuar para fillimit të kësaj seance.
Gjykatësi Kalldura pas konstatimit të shterjes së seancës tha se lidhur me kërkesën e avokatit Klloqaku, do të vendoset pasi gjykata të pranojë qëndrimin dhe mendimin e prokurorit lidhur me këtë çështje.
Për mosplotësim të kushteve për mbajtjen e seancës pati kundërshtime nga ana e mbrojtësit së të akuzuarit Sabedin Haxhiu, avokatit Tomë Gashi, i cili i propozoi gjykatës që seanca të shtyhet vetëm për një orë dhe të akuzuarve që i mungonin mbrojtësit, t’u caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare, pasi sipas tij, edhe ata do të ishin në gjendje të jepnin fjalën hyrëse.
Por, këtë propozim nuk e mori parasysh gjykatësi Kalludra, i cili caktoi seancën e radhës 12 mars 2019, në ora 9:00.
Ndërsa, i njëjti u kërkoi të akuzuarve që të merreshin vesh me mbrojtësit e tyre dhe të mos mungonin në seanca, ndryshe sipas tij, mungesa e çdo avokati do të ketë pasoja.
Në këtë rast, akuzoheshin 21 persona, mirëpo Ilaz Syla është arratisur pas marrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit për vendosjen e tij në paraburgim, andaj është veçuar procedura për të dhe Mustafë Halitin, Nuhi Ukën dhe Hajrullah Berishën.
Këtë lëndë, në seancën e 26 qershorit 2018 e kishte përfaqësuar prokurori Sylë Hoxha, i cili kishte thënë se do të merr pjesë vetëm atë seancë, pasi është shumë i ngarkuar me lëndë të tjera.
Në këtë seancë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa fjala hyrëse nuk është mbajtur ende.
Nga 26 qershori nuk është mbajtur asnjë seancë lidhur me këtë rast, kurse me dështimin e mbajtjes së seancës së 16 nëntorit po bëhet tentimi i nëntë që të fillojë shqyrtimi gjyqësor, pasi që nga seanca e 9 janari e deri tash, palët nuk kanë mundur të japin fjalët e tyre hyrëse për shkak të dështimeve të mbajtjes së seancave.
Kjo lëndë ka kaluar nga EULEX-i te vendorët ku rastin është duke e kryesuar gjykatësi Beqir Kalludra, ndërsa prokurorinë e ka përfaqësuar prokurori Abdurrahim Islami.
Ndryshe, në seancën e 20 shkurtit 2018, gjykatësi i EULEX-it Petko Petkov, kishte njoftuar palët se ky rast do të gjykohej nga vendorët.
Pasi Petkov e kishte dhënë këtë informacion, prokurori që kishte ngritur aktakuzën Danilo Cecarelli, atë vendim e kishte quajtur turp, duke e konsideruar edhe si një dështim të madh të misionit të EULEX-it, në Kosovë.
“Ky është turp për EULEX-in, paaftësi për të dhënë drejtësi, ky është dështimi më i madh i EULEX-it e jo ato skandale të pretenduara që kurrë nuk kanë ndodhur. Si mundemi ne si prokuror e gjyqtar ta lejojmë paraburgim për të pandehurit për dy vite gati dhe papritmas vendosim te dorëzohemi”, kishte thënë prokurori Cecarelli.
Për më tepër Ciccarelli ishte shprehur se kalimi i këtij rasti te vendorët do të thotë përfundim i rastit.
“Nuk jam i kënaqur me këtë vendim dh ky është vendim i padrejtë, këtë vendim nuk mund ta merr askush tjetër përveç kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it. Kalimi te vendoret është përfundim i këtij rasti dhe ne e dimë se pse. Ka pasur kohë të mjaftueshme që misioni ta përfundoi këtë rast, sepse kanë qenë të caktuara mbi 50 seanca. Ky vendim nuk është vendim as i prokurorisë e as i gjyqtarëve, nuk do ta dimë kurrë kush e ka marrë këtë vendim, nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie”, ishte shprehur ai.
Përpjekja e parë për të filluar shqyrtimin kryesor ishte bërë më 9 janar 2018. Atë ditë edhe pse në sallën e gjykimit ishte paraqitur prokurori i rastit Danilo Ciccarelli dhe pothuajse të gjithë të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, kryetari i trupit gjykues Arccadius Sedeck doli para palëve vetëm me një anëtarë të trupit gjykues, gjykatësin Petko Petkov.
Sedeck kishte thënë se për shkak se në trupin gjykues ende nuk ishte caktuar një gjykatës vendor, seancat e javës së dytë të janarit duheshin të shtyheshin. Kjo kishte ndodhur pasi në këtë rast, para ngritjes së aktakuzës ishte zhvilluar procedura hetuese e veçantë dhe në atë kolegj, si gjykatëse vendore kishte marrë pjesë gjykatësja Nora Bllaca, e cila ndërkohë është transferuar në Gjykatën e Apelit.
Gjykatësi Sedeck, kishte thënë se ai ka paraqitur një kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës që Bllacën ta kthej në trupin gjykues të këtij rasti në mënyrë që të vlejnë provat e marra në mundësinë hetuese të veçantë.
Edhe pse Sedeck kishte thënë se kërkesa e tij do të shqyrtohej brenda një jave kjo gjë nuk ndodhi.
Tentimi i dytë për hapjen e shqyrtimit kryesor u bë më 24 janar 2018, si kryetar i trupit gjykues nuk u paraqitë më gjykatësi Arcadius Sedeck, por gjyqtari Petko Petkov, që fillimisht ishte menduar të jetë anëtar i trupit gjykues.
Trupit gjykues, në përbërje përveç gjykatësin Petkov, kishte edhe gjykatësin vendës Vesel Ismajli dhe gjykatësin tjetër të EULEX-it, Vladimir Mikula.
Sipas Petkovit, deri te kjo përbërje e re e trupit gjykues kishte ardhur pasi bashkë me gjykatësen Nora Bllaca, në kolegjin e mundësisë hetuese të veçantë ishte edhe gjykatësi Mikula.
Mikula që është edhe në listën e gjykatësve të Gjykatës Speciale, ishte një arsye tjetër që palët të mos fillojnë fjalët e tyre hyrëse.
Mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha kishte deklaruar se pasi gjykatësi Mikula është edhe pjesë e gjykatësve të Gjykatës Speciale, nuk është e sigurt pjesëmarrja e tij në këtë rast dhe për këtë kishte kërkuar përjashtimin Mikulës nga trupi gjykues.
Tentimi i tretë i pasuksesshëm për të filluar këtë shqyrtim gjyqësor u bë më 1 shkurt 2018, në atë seancë gjykatësi Petkov njoftoi palët se kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e avokatit Berisha për të përjashtuar nga trupi gjykues gjykatësin Mikula.
Edhe pse në këtë seancë pa prezencën e të akuzuarës Elhame Ukaës, që u tha se ishte në spital, u vendos që të veçohet procedura penale ndaj Nuhi Ukës, pasi i njëjti është i shtrirë në një Spital në Beograd për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Në këtë seancë, mbrojtësi i Azem Sylës, po ashtu njoftoi trupin gjykues se ai i është drejtuar me një kërkesë KGJK-së që në trupin gjykues të këtij rasti të caktohet një trup gjykues me shumicë shqiptare sepse sipas tij mandati i EULEX-it do të përfundoi në fund të qershorit.
Për shkak të mungesës së të akuzuarës Elhame Uka, gjykatësi Petkov vendosi që të shtyj seancën për 13 shkurt 2018.
Përpos 13 shkurtit, ishin paraparë që shqyrtimet gjyqësore të mbaheshin edhe më 14 e 15 shkurt, por të gjitha këto ishin anuluar.
Shkaku i shtyrjes së këtyre seancave ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e Azem Sylës, që sipas gjykatësit Petkov, Syla të martën e 13 janarit, nga qendra e paraburgimit ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në mënyrë që ta merr trajtimin e duhur mjekësor.
Pas të gjitha këtyre përpjekjeve, Petkov kishte caktuar seancat më 20, 21 e 22 shkurt 2018, por në datën e parë ishte vendosur që rasti të delegohet te vendorët.
Ndryshe, ish-deputeti Azem Syla më 12 mars të këtij viti, ishte liruar nga masa e paraburgimit, pasi që ky rast kishte kaluar te vendorët.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.