Avokatët për linçimet publike: Është e padrejtë, e kemi detyrim ligjor t’i përfaqësojmë të akuzuarit për vrasje

Prishtinë | 18 Sht 2021 | 08:09 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokatët që përfaqësojnë të akuzuarin në raste të ndjeshme, po linçohen nga opinioni publik. Sipas tyre kjo është një qasje e gabuar pasi e kanë detyrim ligjor që sipas detyrës zyrtare të ofrojnë ndihmën juridike, pavarësisht se për çfarë rasti bëhet fjalë, raporton Ekonomia Online.

Avokati Musa Damati, thotë se institucioni i avokatisë nuk duhet të shihet si një perceptim i keq por si një e arritur e sundimit të ligjit.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se pa prezencën e avokatit dhe ofrimin e shërbimeve të tyre nuk mund të ketë proces të rregullt ligjor.

“Është e rëndësishme që të sqarohet një parim fundamental, pasi institucioni i avokatisë në përgjithësi në botë konsiderohet si një ndër të arriturat e botës demokratike, sistemit dhe është me interes që të potencohet se roli i avokatëve nuk është ashtu siç perceptohet nga një pjesë e konsiderueshme e laikëve të kësaj fushe”.

“Duhet të dimë diçka se pa prezencën e avokatit dhe ofrimin e shërbimeve të avokatit nuk mund të ketë proces të rregullt ligjor dhe kjo pastaj drejtpërdrejtë mund të atakoj edhe vet shtetin sepse konsiderohet si shtet arbitrar dhe ku nuk ekziston sundimi i ligjit”, tha Damati.

“Është e rëndësishme që të sqarohet se avokatët e kanë për detyrim ligjor ofrimin e shërbimeve, por jo gjithmonë dhe në çdo proces. Përkundrazi në Kosovë ka shumë avokatë që angazhohen në punën e tyre dhe e ndihmojnë vet drejtësinë duke ofruar siguri për qytetarët dhe trajtim të drejtave të tyre konform ligjit në fuqi”, theksoi tutje ai.

E, po ashtu avokati Tahir Rrecaj, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se krejt këto linçime që bëhen kundrejt avokatëve se kë duhet të marrin në mbrojtje apo jo dhe se janë një qasje e gabuar dhe e padrejtë ndaj tyre nga ana e qytetarëve.

“Kjo është një qasje krejtësisht e gabuar dhe e padrejtë, për faktin se ne avokatët përveç arsye ligjore kur kemi arsye për t’u përjashtuar nga një rast jemi të detyruar që të bëjmë mbrojtjen ose përfaqësimin e palëve pa marrë parasysh për çfarë lloj krimi bëhet fjalë. Secili qytetar pa marrë parasysh se çfarë vepre të rëndë kryen ka të drejtën e mbrojtjes apo një avokat mbrojtës që i garanton një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, tha Rrecaj.

Ai shton se gjithë avokatët janë të obliguar që në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të mbrojnë edhe rastet nga më të rëndat, për çka njerëzit nuk duhet reaguar në raste momentale dhe të fajësohen avokatët.

“Gjitha këto linçime që bëhen ndaj avokatëve se pse e marrin atë apo këtë person të pandehur në mbrojtje janë krejtësisht të gabuara. Ne jemi të obliguar qe të mbrojmë edhe rastet më të rënda, si gjenocidet, ose krime të luftës dhe të tjera e rasti sado i rëndë që është secili ka të drejtën e mbrojtjes që i garantohet më Kushtetutë dhe me ligj e me kodin e procedurës penale. Njerëzit zakonisht reagojnë nga rastet momentale”, përfundoi ai.

Të ngjashme