Avokati Besnik Berisha ka mbajtur konferencë për media pas arrestimit të tij me urdhër të prokurorit të shtetit, Rasim Maloku, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se arrestimi i tij është skandaloz duke shtuar se ia ka dhënë vetën besës së nuk do të ndalet për të shpërfaqur skandalet e pushtetit.
Berisha ka insistuar sërish se arrestimi i tij nuk ka të bëjë me asnjë krim, por siç shprehet ai me goditjen e një skandali të pushtetit.
Ai në këtë konferencë është shprehur se shteti po mundohet ta maskojë atë çfarë ka denoncuar Berisha në “Rubikon” në Klan Kosova.
“Sot para juve jam për të shpërfaqur një prej arrestimeve skandaloze. Që nga dita kur më kanë privuar padrejtësisht nga liria në krye me një prokuror që siç e kam quajtur ju e dini”.
“I ka dhënë vetës besën që nuk do të ndalem për të punuar për të shpërfaqur skandalet e atyre që paguhen me taksat tona dhe nuk do të ndalem për ti mbrojtur gjithë avokatët. Besnik Berisha nuk ka kryer asnjë krim, jam sanksionuar për një emision që pushteti po mundohet ta mbulojë një skandal për embargo të armëve”.
“Prokurori nuk ka pas të drejtë të urdhërojë arrestimin tim. E kemi një lloj imuniteti jo penal dhe për privimin e një avokati ka të drejtë vetëm gjyqtari. Pra unë jam privuar me një vendim të një prokurori që është palë e kundër me mua e i cili ka pësuar debakël prej meje”, tha Berisha teksa përmendi disa raste kur i ka fituar rastet kundër prokurorit Rasim Maloku.
“Prokurori pa autorizim për të më arrestuar mua dhe si e kuptuam ne që manipuloi. Unë Kam kërkuar provat që akuzohem dhe ka thënë se nuk i ka me vete. U arsyetua se provat nuk i ka aty se ashtu duhet dhe me pyetjet e tyre dhe prita që ta kuptoj arsyen e arrestimit tim. Unë jam arrestuar për shkak të emisionit tim në Rubikon dhe ja kam bërë të ditur se vendimet e mia do të bëj të ligjshme”, tha tutje Berisha.
Avokati Besnik Berisha ishte arrestuar të enjten e javës së kaluar nën dyshimet për tri vepra penale bashkë me tre persona të tjerë N.Xh., I.S., dhe R.C.
Prokuroria kishte njoftuar se atë ditë, shtëpitë dhe pronat e të dyshuarve janë bastisur me urdhër të Gjykatës në Ferizaj.
Megjithatë, Prokuroria në Ferizaj të nesërmen kërkoi nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve tjerë: Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refki Cakolli dhe Adonis Salihu.
Por, pavarësisht kësaj, avokati Besnik Berisha është liruar të dielën pasi Gjykata Themelore në Ferizaj e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt për caktimin e masës për paraburgim.
Në aktvendimin e nxjerrë nga Gjykata thuhet se i është caktuar masa “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar”.
Kurse, ndaj të dyshuarve të tjerë, N.Xh., J.V., F.Z., A.S., dhe R.C., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Ndërsa, ndaj I.S., është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.