Avokati Dixon: Lista e ‘asgjësë’ vazhdon për Veselin

Prishtinë | 12 Shk 2026 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklaratat përmbyllëse sot i vazhdon mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Ai tha se lista e ‘asgjësë’ për krimet e pretenduara ndaj Veselit vazhdon, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Numri i urdhrave të lëshuara jashtë shtetit, raporte që kanë të bëjnë me çështje të inteligjencës, vendime të marra, emërime të bëra, përfshirë edhe veprime ushtarake të cilat nuk janë të paligjshme apo me diçka që ka të bëjë me krime të pretenduara të kësaj çështje apo ndonjë gjë tjetër të jetë e ndërlidhur. Asnjë! Lista e asgjësë vazhdon”, tha ai.

Ai tha se të gjitha këto nuk arrijnë të vërtetojnë se Veseli ka luajtur një rol kriminal dhe se argumentet e Prokurorisë janë shumë të vogla për shkak se janë rrethanore.

“Këto shifrat nuk arrijnë që të përbëjnë një konspiracion gjigand kriminal në të cilin të ketë luajtur rol Veseli. Janë këto argumentet rrethanore që janë shumë të vogla”, tha ai.

Dixon tha se kritikat e tij ndaj ZPS-së nuk zvogëlojnë vuajtjet e viktimave në Kosovë, disa prej të cilave janë në qendër të aktakuzës së kësaj çështjeje.

Avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, gjatë deklaratës së tij përmbyllëse ka thënë se viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar.

“Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo false”, tha ai.

Ai tha se koha nuk i shëron plagët, por që pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e përkeqëson dhimbjen.

“Koha nuk i shëron të gjitha plagët dhe kjo vlen për të gjitha konfliktet. Pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e përkeqëson këtë dhimbje dhe këtë vuajtje dhe ky dështim bëhet më keq kur bëhet fjalë për mashtrim nga sistemi i drejtësisë. Viktimat siç tha zoti Laës kanë nevojë për drejtësi të bazuar në të vërtetën dhe në realitetin”, tha Dixon.

Ai tha se duhet të mbrohen të pafajshmit dhe se gjykatat duhet të jenë me integritet.

“Në synimin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që është e domosdoshme dhe nuk është një opsion, duhet të mos sakrifikohet e vërteta. Duhet të mbrohet të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me integritet”, tha avokati.

Të ngjashme