Behar Ejupi, avokati i të akuzuarit Ali Hoacoglu, tha se aktakuza e rastit “Stenta” e përkthyer turqisht ka shumë gabime.
Në gjykimin e 64 punonjësve shëndetësorë në Rastin “Stenta”, Behar Ejupi, avokati i të akuzuarit Ali Hoacoglu, tha se aktakuza e përkthyer në turqishte-gjuhën amtare të të mbrojturit të tij, ka shumë gabime gjuhësore.
Ejupi deklaroi në seancë se për pretendimet e tij do t’i ofrojë prova gjykatës.
Avokatët që mbrojnë të akuzuar turq në këtë proces gjyqësor u ankuan se nuk kanë marrë provat në gjuhën turke në mënyrën e duhur, pasi sipas tyre, edhe ato kanë shumë gabime.
Trupi gjykues e obligoi prokurorin Sylë Hoxha që deri më 28 prill t’i përkthejë në gjuhën turke dhe maqedonase të gjitha provat dhe ato t’ua dorëzojë në CD të akuzuarve që kanë gjuhë amtare turqishten dhe maqedonishten.
Seanca e radhës e rastit “Stenta” u caktua më 19 maj.
Avokatët ishin ankuar në lidhje me provat në Rastin “Stenta” edhe në seancën e 28 dhjetorit 2016. (kallxo.com)