Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, paraqiti fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai argumentoi se pretendimet për përfshirjen e Krasniqit nuk mbështeten në prova konkrete. Sipas tij, edhe nëse janë kryer krime nga anëtarë të policisë ushtarake, kjo nuk dëshmon se Krasniqi ka pasur rol në hartimin apo zbatimin e rregulloreve, apo se ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve.
“Kryerja e krimeve nga anëtarë të policisë ushtarake, nuk është provë sipas nesh, që zotëri Krasniqi të ketë luajtur rol në këtë rregullore, dhe që ky rol të ketë pasur kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve”, tha Ellis.
Ai shtoi se Prokuroria e Specializuar, në dosjen përfundimtare, sipas tij, po përpiqet gabimisht të lidh praninë e Krasniqit në disa vende ku pretendohet se janë kryer krime me përgjegjësi për këto veprime, pa paraqitur dëshmi konkrete që prania e tij të ketë ndikuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e tyre.
“Pa dhënë një dëshmi të vetme, apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve”, shtoi ai.