Avokati i Popullit bashkëbisedon me fëmijët për të drejtat e tyre

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 12:46 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të “Ditës Universale të fëmijëve”, Avokati i Popullit, sot organizoi një tryezë diskutimi bashkë me fëmijët e shkollave fillore nga pothuajse të gjitha komunat e Kosovës

Aty fëmijët shfaqën interesim të madh të njohin të gjitha të drejtat e tyre si fëmijë dhe të dinë se ku duhet të adresohen ankesat e tyre.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shpalosi disa sqarime para fëmijëve, se cili është roli i Avokatit të Popullit.

“Avokati i Popullit mbikëqyr dhe mbron të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve. Avokati i Popullit heton ankesat e pranuara nga qytetarët lidhur me pohimet për shkelje të drejtave të njeriut të parapara me kushtetutë ligje dhe akte të tjera si dhe me standarde ndërkombëtare”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Jashari i njoftoi të pranishmit (fëmijët) për të drejtat e tyre, si dhe çka bën DMDF-ja lidhur me ankesat e tyre të paraqitura.

“Në kuadër të institucionit të Avokatit të Popullit departamentet për mbrojtjen e fëmijëve mbron si dhe promovon të drejtat e fëmijëve. DMDF me kujdes të veçantë i heton ankesat e paraqitura nga fëmijët apo përfaqësuesit e tyre, lidhur me shkeljet e të drejtave të fëmijëve nga autoritetet publike në Kosovë”, shtoi ai.

Në mesin e diskutimit nuk munguan as pyetjet e fëmijëve.

Dikush nga ta tha se nëse është menduar që institucioni i popullit ta paraqes në televizion se si mbron Avokati i popullit të drejtat e fëmijëve.

Jashari tha se Kosova ka shumë nevojë të ketë programe të tilla.

Ai tha se neve na mungon një program i tillë.

Sipas tij, do të ishte mirë të kishte programe të tilla kulturore dhe arsimore për fëmijë, të cilat do ndihmonin në sistemin e edukimit.

E, dikush nga fëmijët e falënderoi Avokatin e Popullit që u dha mundësinë e diskutimin si dhe njohjen e të drejtave të tyre si fëmijë.

Fëmijët u interesuan edhe për kompetencat e Avokatit të Popullit.

“Institucionet e kanë obligim të bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit,  nëse nuk bashkëpunojnë atëherë kjo cilësohet si një vepër penale”, shpjegoi ai.

Por, edhe Avokati i Popullit kishte një pyetje për ta. Ai pyeti se cilat ishin prioritetet e tyre si dhe problemet e tyre?

Dikush përmendi që prioriteti i parë është sinqeriteti  dhe komunikimi i lirshëm me prindërit.

Aty u përmend edhe qasja e komunikimit të profesorëve në shkolla me nxënësit si dhe sa kuptohen fëmijët nga ata.

 

 

Të ngjashme