Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi të anulojë vendimin e zyrës së Rregullatorit për Energji për tua paguar rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.
Në ZRRE deklarojnë se presin të marrin aktgjykimin e më vonë të vendosin për hapat e mëtejmë.
Mbi 40 milionë euro mund tu kthehen konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike nga banorët e katër komunave me shumicë serbë ne veri të vendit.
Ky është vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Paditës në këtë rast është Avokati i Popullit.
Për njohës të çështjeve të energjisë, Gjykata është e qartë në aktgjykim dhe qytetarët duhet të kompensohen për dëmin që u është shkaktuar.
Nga zyra për informim e KEDS’it thonë se nuk i takon kësaj korporate dhe se kjo çështje i takon ZRRE’së.
Me vendim të ZRRE’së qytetarëve të pjesës tjetër të vendit u faturohej shpenzimi i energjisë së atyre në veri.