Avokati i Popullit ka publikuar raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Pas monitorimit nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) nga 20 deri më 22 mars 2018 kanë gjetur shumë parregullsi në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Ata përmes intervistimit të të burgosurve pa prezencën e zyrtarëve korrektues kanë kuptuar një sërë ankesash.
Gjatë vizitës në këtë qendër, Mekanizmi Kombëtarë për Parandalimin e Torturës nuk ka pranuar ankesa për keqtrajtim fizik apo përdorim të tepruar të forcës nga zyrtarët korrektues, por, ka pranuar dy ankesa nga dy të burgosur me pretendimin se janë keqtrajtuar fizikisht nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur u arrestuan dhe u dërguan në stacionet policore ku u intervistuan.
Ankesat nga të burgosurit kishin të bëjnë me infrastrukturën e pavijoneve të burgut, ku dallonin pavijonet për nga renovimi e që pavijoni 8 ishte në gjendje më të keqe kurse pavijoni 1 ishte i rinovuar tërësisht.
Gjithashtu të burgosurit u ankuan edhe për cilësinë dhe sasinë e ushqimit që u servohej atyre në mëngjes dhe darkë.
MKPT ka vërejtur se spitali edhe më tej nuk posedon ashensor përmes së cilit do t’u mundësohej qasja në katin e dytë të dënuarve me aftësi të kufizuara. Gjatë kësaj vizite MKPT ka pranuar shqetësimet e drejtorisë për shkak të mungesës së personelit korrektues, punëtorëve social dhe psikologëve.
Afërsisht 100 zyrtarë korrektues i mungojnë QKD-së sipas drejtorisë. Po sipas drejtorisë planifikohet shtimi i personelit korrektues për 50 zyrtarë të rinj. Po ashtu, drejtoria ka shprehur shqetësimin lidhur me moshën mesatare të personelit korrektues, e cila është 49 vjeç.
Gjatë vizitës, MKPT ka pranuar shumë ankesa edhe nga personeli korrektues lidhur me numrin e vogël të zyrtarëve korrektues në raport me të burgosurit dhe kushteve tjera të punës.
Edhe shumë parregullsi tjera e ankesa nga të burgosurit ka pranuar Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës pas vizitë në Shërbimin Korrektues në Dubravë ka dalë me rekomandimet, për të cilat e ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë një takimi zyrtar.