Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se Qeveria ka shkelur të drejtën për të mos u diskriminuar në rastin e ish-këshilltarit të Albin Kurtit sa ishte kryeministër, Tienmu Ma.
Avokati i Popullit po ashtu u ka rekomanduar autoriteteve të Kosovës të rishqyrtojnë çështjen.
“Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit ka konstatuar se gjatë trajtimit të çështjes së z. Tienmu Ma ka pasur shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar, të së drejtës së privatësisë, si dhe të një numri të parimeve të përgjithshme të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Së këndejmi, Avokati i Popullit u ka rekomanduar autoriteteve përgjegjëse rishqyrtimin e çështjes në rastin e z. Tienmu Ma, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, me qëllim të përmirësimit të mangësive të cilat kanë shkaktuar shkeljet e konstatuara nga Avokati i Popullit”, shkruan në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Vendimi ishte marrë më herët nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – Divizioni për të Huajt, me arsyetimin se nuk ishte plotësuar dokumentacioni i kërkuar, por pas reagimeve të shumta, edhe të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria anuloi vendimin më 1 tetor.
“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bazuar në fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, ka marrë vendim për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve A. Nr. 555/2020 me nr. Prot. A. nr. 1571/2020, të datës 01.10.2020, sipas kërkesës nga Avokati i Popullit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë për shfyqizimin e vendimit për leje qëndrimi