Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, në fjalën e tij hyrëse para trupit gjykues në Hagë, tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës, të cilët vendosën të nisnin luftën për liri.
Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të Zyrës së Prokurit të Specializuar, iu referuan masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.
Roberts tha se pretendimet ZPS-së se UÇK-ja ishte një ushtri e mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë, ngase siç tha ai, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar”, por nuk përkonin me “realitetin e situatës në terren”, transmeton AP.
Roberts ka përmendur edhe shpërpjestimin e fuqisë në kohën e luftës mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se kur të mbaroj ky proces gjyqësor, këto “copëza të panoramës do të ofrojnë vetëm një imazh të shtrembëruar konspirativ”.
“Mjafton të bëhet vetëm kontrasti mes UÇK-së dhe forcave të armatosura serbe të kohës, një ndër më të mëdhatë në Evropë për nga numri i trupave, me një personel aktiv për rreth 140 mijë trupash të mbështetur nga 400 mijë rezervistë”.
“Ndërsa forcat serbe ishin të pajisura me avionë luftarakë, tankse dhe artileri, UÇK-ja kishte vetëm pushkë dhe bomba të improvizuara. Derisa Serbia kishe ushtarë me përvojë në terren të mësuar me ashpërsinë e betejave të përgjakshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, UÇK-ja kishte vullnetarë…”, tha ai.