Avokati i serbit të dyshuar për krime lufte: Do ta ftojmë Kurtin si dëshmitar të mbrojtjes, ishte shoqëruar me të

Prishtinë | 09 Gus 2023 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës para disa muajve kishte arrestuar Dragisha Milenkoviq, të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999. Pas seancës së mbajtur, avokati i tij, Dejan Vasiq ka deklaruar se “janë marrë vesh” që të dëgjohet një dëshmitar, dhe ky dëshmitar, sipas tij është kryeministri Albin Kurti.

Mediumi opozitar serb “Danas” raporton se Vasiq ka deklaruar që sot prokurori special dëgjoi deklaratën e Milenkoviqit, si i pandehur, përcjell Nacionale.

Sipas avokatit, me prokurorin e rastit, janë marrë vesh, më konkretisht “janë koordinuar” që të dëgjohet një dëshmitar special i mbrojtjes, e që sipas tij, është kryeministri Albin Kurti.

Siç shkruan ky medium, avokati ka deklaruar që Kurti ka qenë i paraburgosur gjatë kohës kur Milenkoviq ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë.

I dyshuari madje, sipas avokatit “i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, dhe kanë kaluar kohë në biseda” me Kurtin, gjatë kohës sa ky ishte në paraburgim.

“Sot prokurori special që vepron në Prishtinë e ka dëgjuar Dragisha Milenkoviqin si të pandehur dhe me këtë rast në bashkëpunim, që nga fillimi, më duhet të them se ka qenë i jashtëzakonshëm me prokurorin që vepron në këtë rast, jemi marrë vesh, gjegjësisht jemi koordinuar për dëgjimin e dëshmitarit special të mbrojtjes, kryeministrit aktual të Kosovës të z.Albin Kurti, i cili ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë. Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar një kohë në biseda.” – citohet të ketë thënë ai.

Avokati tutje ka deklaruar se shpreson që Kurti t’i përgjigjet ftesës për të dëshmuar.

“Shpresoj që kryeministri të ketë disi një memorie të mirë të asaj kohe, duke konsieduar se këto ishin disa momente dramatike në jetën e tij…” – ka thënë ai.

Ndërkaq, policia e Kosovës kishte konfirmuar se Milenkoviq dyshohej për kryerje të krimeve gjatë kohës së luftës në cilësinë e personit zyrtar, më konkretisht guardian i burgut.

Ai dyshohej se kishte ushtruar torturë, dhunë fizike e psiqike, keqtrajtime e maltretime ndaj shqiptarëve të burgosur.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.” – kishte deklaruar Policia e Kosovës.

Të ngjashme