Avokati i Silvana Arsoviq e akuzuar në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, thotë se do të apelojë aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore ne Prishtine për në shkallën e dytë.
Musa Damati i cili është avokat i Silvana Arsoviq ka thënë për Ekonomia Online se “Gjykata Themelore ne Prishtinë Departamenti Special sot ka marrë aktvendim duke refuzuar kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe kundërshtimet lidhur me provat e rastit, dhe mbrojtja ne raport me klientin tim do ta apeloj Aktvendimin e fundit te gjykatës për në shkallën e dytë, ndërsa procesi ligjore në këtë çështje penale pritet të vazhdoj pas vendimit te shkallës së dytë”, ka thënë ai .
Sipas tij vlen të theksohet fakti krrucial se në këtë çështje penale ekziston një numër voluminoz i provave, ekzistojnë mbi 12.500 dokumente materiale qe ndërlidhen me rastin, dhe ligjshmëria e sigurimit te tyre “konsiderojmë se nuk është bere me përpikëri nga Prokuroria Special konform dispozitave relevante te përcaktuara me Kodin e Procedurës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se klientja e tij vazhdon të jetë e lirë nen masën e paraqitjes në polici.
“Klientja ime vazhdon të mbetet e lirë nën masën e paraqitjes në polici, dhe gjatë shqyrtimit gjyqësorë do të arrijmë qe ta provojmë me prova te qarta se ajo është përfshirë aksidentalisht në aktakuzë dhe përmes argumenteve juridike do ta provojmë se për klienten time mungon lidhja kauzale midis veprimeve inkriminuese të cilat do të mund ta implikonin atë në çfarëdo lloj forme të bashkëpunimit kriminal në këtë vrasje të rëndë”, tha ai.