Familja e Oliver Ivanoviqit, kërkon drejtësi në përvjetorin e pestë të vrasjes së tij

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Në orën 08:15, të datës 16 janar, saktësisht në kohën dhe vendin ku u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq, në përvjetorin e pestë, familja dhe shokët kanë ndezur qirinj për ta përkujtuar dhe kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Në lidhje me këtë rast, në seancën e së mërkurës në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e avokatit Faruk Korenica për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, avokati Korenica ka propozuar që si dëshmitarë në këtë rast të dëgjohen Nebojsha Qamiloviq, Goran Zhivkoviq, Predrag Jevqiq, Nexhmedin Isufi dhe Jovan Arsiq.

Këtë propozim, nuk e ka kundërshtuar prokurori special Burim Çerkini edhe pse i njëjti tha se për prokurorinë këta dëshmitarë janë jorelevantë.

Por, propozimin e tillë më pas e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, i cili po ashtu obligoi avokatin Korenica që të sigurojë të dhënat e sakta për t’i ftuar dëshmitarët.

Sipas gjykatësit Kurtaj, në qoftë se nuk do të mund të sigurohet ndonjëri prej tyre, atëherë gjykata do të rikonsiderojë vendimin për shkak të mosprolongimit të procesit.

Ndryshe, në këtë seancë ishte e paraparë që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet Milena Popoviq, mirëpo sipas gjykatësit Kurtaj e njëjta përmes e-mailit e ka njoftuar gjykatën se për arsye personale nuk mund të jetë e pranishme.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan më 22 dhe 23 shkurt, si dhe më 14 dhe 15 mars 2023

Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë para zyrës së tij, më 16 janar të vitit 2018.

Të ngjashme