(E plotësuar) Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Claire Lawson, ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë dokument nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në konferencën e sotme në rastin e ish-komandantëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se ZPS-ja duhet të kërkojë dokumente nga qeveria amerikane dhe nga shërbimi i CIA-së lidhur me UÇK-në.
“Parashtrimit të mbrojtjes së Thaçit, sa i takon kontakteve me Qeverinë amerikane, shkalla e bashkëpunimit apo materialeve që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative, nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh së ZPS-ja ka akses apo ka në zotërim dokumentacione, ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë Lawson.
Kehoe ka thënë se ZPS-ja duhet të ketë dokumente të CIA-s, të cilat thonë se udhëheqja e UÇK-së nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e tyre gjatë luftës.
“Në dokument thuhet se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste, të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objektivave joluftarake, pra prokuroria thotë që nuk e di këtë raport, ku thuhet ”udhëheqja e UÇK-së nuk është e përfshirë në këso aktivitete’”, ka thënë Kehoe.
Avokati i Thaçit: Prokuroria po shërbehet me materiale të UDB-së
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka fajësuar Prokurorinë për fshehje të dokumenteve shfajësuese.
Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka akuzuar ZPS-në se ka marrë shumë informacione dhe dokumente nga Shërbimi Inteligjent Serb (UDB).
“Kjo çështje ka të bëjë me kredibilitetin e ZPS-së”, ka theksuar Kehoe.
Sipas tij, me mijëra materiale shfajësuese po fshihen nga Prokuroria, edhe 16 muaj pas burgosjes së krerëve të UÇK-së.
“Nëse dokumentet janë në dispozicion të Prokurorisë, ato duhet të na dorëzohen menjëherë”, ka thënë Kehoe.
Derisa avokati i Thaçit po fliste, Gjykata Speciale disa herë e ka mbyllur këtë seancë për publikun.
Mbrojtja e Thaçit e shqetësuar: Janë 100 dëshmitarë të cilëve s’ua dimë as emrat
Mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën statusore të radhës në Gjykatën Speciale ka shprehur shqetësimin me taktikat e Prokurorisë, e cila po zvarrit dorëzimin e dokumenteve.
Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se deri më tani mbrojtja ka kërkuar mbi 1000 dokumente të ndryshme. Sipas tij, ndonëse ishte premtuar se ato do t’i dorëzohen mbrojtjes, deri më sot kjo nuk ka ndodhur.
“Ne kemi kërkuar prej konferencës së fundit mbi 1000 dokumente. Asnjë premtim nuk është përmbushur. Jemi të shqetësuar me vonesat. Kemi shumë dëshmitarë, rreth 100 prej tyre të cilëve nuk ua dimë emrat, nuk e dimë kush janë, nuk dihet vende. Të gjitha janë të redaktuara“, ka shtuar ai.
Edhe mbrojtja e krerëve tjerë të UÇK-së është ankuar të gjykatësi i Paraprakes për vonesat që janë duke u krijuar.
Mbrojtja dyshon që këto vonesa po krijohen për të zvarritur fillimin e procesit gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.