Thellohet skandali i ZPS-së: Dëshmia e ish-ambasadorit Everts iu fsheh jo vetëm mbrojtjes, por edhe gjyqtarit Gillou

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Dastid Pallaska, pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se Prokuroria Speciale për katër vite, që nga 2018-ta, ka fshehur dëshminë e ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Dan Everts.

Pallaska në një lidhje direkte me “Top News”, ka thënë se paraburgimi i ish-presidentit dhe të tjerëve është vazhduar për 15 muaj pa u ditur këto prova.

Ajo që prokuroria kishte bërë ishte që i kishte fshehur këto prova nga mbrojtja dhe nga vetë gjykata. Që do të thotë se edhe aktakuza ishte konfirmuar pa i pasur në dispozicion Gjyqtari i Procedurës Paraprake këto prova. Edhe paraburgimi është ofruar për më shumë se 15 muaj, pa u ditur këto prova”, ka thënë Pallaska.

Ai më tutje ka shtuar se dëshmia e ish-ambasadorit Dan Everts ishte dhënë në vitin 2018, por Zyra e Prokurorit të Specializuar e fshehu atë nga gjykata dhe mbrojtja për më shumë se katër vite, gjë e cila është ende më brengosëse.

“Nuk ishin prova të thjeshta. Këto prova ishin dëshmi të njerëzve shumë të rëndësishme, dëshmitarëve të rëndësishme, që kishin njohuri të drejtpërdrejta për rrethanat gjatë periudhës relevante të aktakuzës. Përkatësisht, bëhet fjalë për dëshminë e ish-ambasadorit Dan Everts që ishte ambasador i OSBE-së në Shqipëri dhe Kosovë, i cili i kishte dhënë dëshminë e tij prokurorisë qysh në vitin 2018. Prokuroria për katër vite e kishte fshehur këtë provë nga gjykata dhe nga ne. Shqetësuese dhe më brengosëse është se kjo dëshmi u shpalos vetëm atëherë kur prokuroria u kap në fshehjen e provës, përkatësisht gjatë hetimeve tona kur erdhën informacionet dhe vetëm pasi prokuroria e kuptoi se ne e kemi zbuluar ekzistimin e provës, ajo e zbuloi atë të martën e kësaj jave”, ka thënë Pallaska.

Ndërkohë, në seancën e sotme të Dhomave të Specializuara, Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ka kritikuar ashpër që Prokuroria e Gjykatës Speciale i ka fshehur provat në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Kehoe e ka pyetur gjyqtarin Nicolas Gillou nëse e ka parë ai ndonjëherë dëshminë e ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Dan Everts, lidhur me ngjarjet e pas vitit 1999, e cila duket të jetë fshehur për një kohë të gjatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme