Avokati Jashari për arrestimin e Shehollit: Për veprën e spiunazhit, dënimi mund të varijojë deri në 10 vjet burgim

Prishtinë | 09 Tet 2025 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Avokati Arbër Jashari në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se për veprën penale “spiunazh”, mbi të cilin dyshim është arrestuar mëngjesin e së enjtes Fatmir Sheholli, parashihet dënimi deri në 10 vjet burgim, në raste të veçanta edhe më shumë.

Ndonëse në fazën e hershme të procedurës penale, megjithatë avokati Jashari ka theksuar se me kryerjen e veprës penale spiunazh, rrezikohet rëndë siguria e shtetit të Republikës së Kosovës.

 “Kjo është një fazë e hershme e procedurës penale dhe të predikohet se çfarë do të ndodhë deri në fund të procedurës gjithmonë është vështirë, ngase krejt varet se çka do të dalë në shesh nga procesi hetimor që do ta zhvillojë Prokuroria Speciale. Pastaj edhe është faza tjetër e gjykimit, nëse veç do të ketë  hetime të suksesshëm të cilat rezultojnë me ngritjen e aktakuzës. Sido që të jetë vepra penale e spiunazhit, është vepër penale mjaft e rëndë e sanksionuar me kodin penale të Republikës së Kosovës dhe për të cilin ligjvënësi ka paraparë dënime do të thoja të ashpra të cilat mund të varijojnë deri në 10 vite burgim, ndërsa në raste të veçanta kur dëmi është jashtëzakonisht i madh për shtetin dënimi mund të jetë dhe më i lartë”, tha avokati Jashari për Ekonomia Online.

Ai e ka nënvizuar rëndësinë për të luftuar veprën e spiunazhit, të cilën e përdorin persoan apo edhe shtetet armike.

“Kjo është vepër që rrezikon rëndë sigurinë e shtetit të Republikës së Kosovë, mu për këtë çështje përfshihet në kapitullin veprat penale kundër rendit kushtetues, duke qenë që shtetit ka për interes gjithmonë që disa informacione të ndjeshme t’i mbrojë në mënyrë që ato të mos bien në duart e personave, ose individëve, shteteve që nuk janë miqësore në mënyrë që pastaj ta luftojnë pavarësinë e shteti me forma të ndryshme të spiunazhit, ose të sabotimit ose çështje tjera që ndërlidhen me sigurinë e vendit. Pra, është në interes të shteti që këto vepra penale të luftohen deri në fund, në mënyrë që në këtë formë të ruhet pavarësia, mbrojtja nga ndikimet e huaja, sidomos nga shtetet jo miqësore dhe të ruhen disa elemente sekrete që janë thelbësore për funksionimin e mirëfilltë të Republikës së Kosovës”, sqaroi avokati.

Të ngjashme