Pak ditë pasi që Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim në Gjykatën e Apelit rastin e ish-prokurores Vahide Badivuku, avokati i kësaj të fundit po e konsideron të jashtëligjshme mbajtjen e saj në paraburgim.
Përmes një letre, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, avokati i Badivukut, Ramë Dreshaj, po kërkon nga Gjykata Supreme e Kosovës që Badivuku të lirohet nga paraburgimi.
Prokurorja Badivuku ishte dënuar me 3 vjet burg për marrje të ryshfetit në prill të vitit të kaluar, ndërsa më pas i ishte vërtetuar dënimi nga Gjykata e Apelit.
Të enjten e kaluar KALLXO.com raportoi për vendimin e Gjykatës Supreme që këtë rast e riktheu në rigjykim në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve ligjore lidhur me përbërjen e kolegjit të Gjykatës së Apelit që vendosi lidhur me këtë çështje.
Pas këtij vendimi, avokati i Badivukut, Ramë Dreshaj, po e konsideron të jashtëligjshme që e mbrojtura e tij të vazhdojë të mbetet në vuajtje të dënimit.
“Vahide Badivuku që nga data 27 prill 2017 qëndron në Qendrën Korrektuese në Lipjan pa status pasi që aktgjykimi në bazë të të cilit ka shkuar në vuajtje të dënimit është i shfuqizuar me aktgjykim të Gjykatën Supreme”, tha Dreshaj.
Përpos çështjes së vuajtjes së dënimit të Badivukut, Dreshaj ka shprehur shqetësimin e tij se pse Gjykata Supreme nuk e ka shqyrtuar kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë.
“Mbrojtja e të dënuarës Vahide Badivuku u shqetësua pa masë në aspektin profesional dhe etik nga fakti se në dispozitiv të aktgjykimit të Gjykatës Supreme thuhet: “… e sipas detyrës zyrtare sa i përket të dënuarve Vahide Badivuku dhe Isak Smakolli, anulohet aktgjykimi i Gjykatës së Apelit’, ngase edhe mbrojtja e Vahide Badivukut në kërkesën e saj për mbrojtjen e ligjshmërisë e ka potencuar shkeljen e Kodit të Procedurës Penale ku është bazuar vendimi i Gjykatës Supreme”, thuhet në letrën e avokatit Dreshaj drejtuar Gjykatës Supreme.
Më tej në letrën e tij lidhur me këtë çështje avokati Dreshaj pretendon se fakti që Gjykata Supreme ka shqyrtuar vetëm kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarit Idriz Kelmendi dhe vendimin e saj e ka bazuar në pretendimet e asaj kërkese tregon se mbrojtja e Badivukut është anashkaluar.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i ish-prokurores së Mitrovicës, Vahide Badivuku.