Edhe sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vazhdon gjykimi i Murat Mehës. Në Gjykatën në Prishtinë sot po zhvillohet seanca e dytë e procesit gjyqësor kundër Tahir Mehës në të cilën bëhet kundërshtimi i aktakuzës dhe provave mbi të cilat ajo bazohet.
Në seancë Ibrahim Dobruna, avokati i Murat Mehës kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj të mbrojturit të tij dhe të akuzuarve të tjerë pasi sipas tij kjo çështje penale s’ka merita për të shkuar në shqyrtimin kryesor.
Sipas aktakuzës, Meha në cilësinë e kryeshefit të përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu si drejtor i Drejtoratit Ligjor në këtë Agjenci e kanë penguar të dëmtuarën ShPK “Marigona Residence” në ushtrimin e veprimtarisë së saj, duke e vënë në pozitë të pabarabartë në raport me ligjin e zbatueshëm.
Aktakuza sqaron se Meha e Kryeziu nuk e lejuan ShPK “Marigona Residence” që sipas ligjit ta regjistrojë të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral.
Prokuroria pretendon se Murat Meha e Ismet Kryeziu moslejimin e regjistrimit të bartjes së pronësisë e kishin bërë duke e obliguar të pandehurin Nemanja Spasiq, shefin e Zyrës Kadastrale në Graçanicë që të veprojë në bazë të një mendimi profesional të datës 21 janar të vitit 2015.
Ky mendim, që në aktakuzë konsiderohet i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, sipas aktakuzës, ia ka cenuar të dëmtuarës “Marigona Residence” barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.
Seanca fillestare e këtij gjykimi ishte paraparë të zhvillohej më 25 prill, por atë ditë Murat Meha e kishte njoftuar gjykatën se ndodhej në një udhëtim zyrtar në Holandë.