Sot është raportuar se ka rreth një vit që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve publikë në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me Fondin 3 për qind.
Gazeta e ka të konfirmuar se tashmë ka aktakuzë mbi këto dyshime për ish-kryeministrin Bujar Bukoshi, deputetin e LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi.
Kujtim Kerveshi, që është avokat, ka kritikuar sistemin e drejtësisë dhe faktin se pse ky rast me këtë aktakuzë të mbetet kaq sekret.
“Pa dashur të paragjykoj rastin e as të pandehurit, dy shqetësime themeltare duhet të shfaqen për secilin taksapagues sot e po ashtu për secilin që nga xhepi i varfër ka ndarë para për fondin 3%. 1) Një aktakuze me vetëm tre të dyshuar? Hajde prokurori hajde, sa tjerë nuk i keni “parë” gjatë “hetimit”? 2) aktakuza është ngritur tash një vit, janë mbajtur edhe seanca larg syrit të opinionit dhe shoqërisë civile? Koment: çka është ky sekret?!?!”, ka thënë avokati Kerveshi.
Kerveshi tutje thotë se “ne jo që nuk meritojmë vizat, po as me dal prej shtëpive me këtë sistem të drejtësisë! Të këtilla aktakuza ngritën për amnestim ligjor e jo për të ndjekur kryesit e veprave penale! Në fund, prapë do të pyesim, ku mbeti fondi 3%?”./Koha.net