Avokati Arianit Koci ka argumentuar se ditëlindja e Adem Jasharit është më 28 nëntor e jo siç u raportua mbrëmë, pas dyshimeve që ngriti Nexhmedin Spahiu.
Koci ka argumentuar se ditëlindja e Ademit argumentohet në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë e vitit 1997, shënimet e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe dokumente tjera. Madje, ai ka thënë se edhe familjarët e Adem Jasharit kanë konfirmuar se ditëlindjen gjithmonë ia kishin festuar më 28 nëntor.
Postimi i plotë i Arianit Kocit:
Fakte mbi mendimet e lira
Nuk është stili i im të kyçem në debate i papërgatitur tërësisht.
Pra, “nuk hyj në mal pa sakicë.”.
Sidoqoftë, gabimet ndodhin, dhe kësaj radhe kam gabuar.
Në debatin rreth ditëlindjes së komandantit tanë, Adem Jashari, e kam ngritur si pyetje se mos është falsifikuar data e lindjes së tij, duke u bazuar në disa informata kuturu që u plasuan në media.
Theksoj, nuk kam thënë që është falsifikuar ditëlindja e Adem Jasharit.
Sidoqoftë, pas analizat të kësaj çështjeje, dhe pas hulumtimit të disa provave kredibile, kam ardhur të një e vërtetë kredibile.
Adem Jashari sipas të dhënave të sistemit të kohës ka lindur me 28.11.1955.
Këtë gjendje faktike e kam vërtetuar në bazë të këtyre provave:
1. Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës të datës 11.7.1997, ku shkruan se Adem Jashari është i lindur me 28.11.1955z
2. Të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, të konfirmuara nga Krenar Gashi – hulumtues.
3. Sipas shënimeve që i ka FDH, numri personal i Adem Jasharit ishte 2811955924008.
4. Numrat personal të asaj kohe fillonin me ditën, muajin dhe tre numrat e fundit të vitit.
5. Shtoja kësaj edhe certifikatën e vdekjes, të lëshuar nga UNMIK-u, që e prezantoi Bekim Jashari.
Mbi të gjitha, për mua prova më kredibile është edhe vet biseda me Lulzim Jasharin, djalin e komandantit tonë, ku në mënyrë eksplicite, pa asnjë dilemë, me bindi për ditëlindjen e babait të tij. Pra, ditëlindjen e Adem Jasharit e kane festuar gjithmonë më 28 Nëntor.