Avokati Arianit Koci po kërkon nga Qeveria që t’ua shpjegojë qytetarëve se tarifën për vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Heregovina, do ta paguajnë qytetarët, dhe se taksën e kanë vendosur që të forcohet Shteti.
Koci përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Ramush Haradinaj bashkë me gjithë ministrat dhe njerëzit e tjerë duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve se taksën e kanë vendosur për të mirën e Shtetit.
Njëkohësisht, deklaron se duhet t’ju tregojnë se qytetarët do ta paguajnë edhe këtë vendim të mirë për shtetin.
Ky është postimi i plotë i tij:
Taksa për forcimin e Kosovës, natyrshëm e paguan qytetari
Aplikimi i taksës në produkte serbe na qenka veprim popullist dhe i pamatur, e reaksioni i Serbisë nuk qenka i tillë?
Të gjithë jemi të vetëdijshëm që në fund populli do ta paguajë shtrenjtimin eventual të mallrave bazike, dhe se aplikimi i taksave ad-hoc, mund të sjellë edhe masa reciproke të Serbisë.
Disa mund edhe të thonë që veprimi i qeverisë sonë është iracional dhe i pamatur mirë.
Në anën tjetër: rreth 15.000 persona kanë vdekur për lirinë e Kosovës.
Rreth 20.000 gra janë dhunuar.
Me qindra mijëra kosovarë janë persekutuar dhe burgosur.
Mos të flasim për dëme ekonomike.
A mos paska qenë më racionale me e pasë ulur kokën prej vitit 1912, e mos me i rezistu armikut dukshëm më të fortë?
Duhet të vazhdojmë t’i ndjekim aspiratat tona – me çdo kusht e sakrificë, deri në realizimin e ëndrrës sonë shekullore: pavarësisë së plotë të Kosovës.
Ramush Haradinaj bashkë me gjithë ministrat dhe njerëzit e tjerë duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve se taksën e kanë vendosur për të mirën e Shtetit. Njëkohësisht, t’ju tregojnë se ata, pra qytetarët, njerëzit e këtij vendi do ta paguajnë edhe këtë vendim të mirë për shtetin. Në fund të fundit fajin pse jemi në këtë gjendje ku kemi ardhur e kanë secili udhëheqës i Kosovës. Edhe Haradinaj tash, sikurse Thaçi dje dhe Isa Mustafa pardje.