Avokati i Popullit i ka dorëzuar sot raportin e shtatëmbëdhjetë vjetor Kuvendit të Kosovës.
Raportimi vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit në Kuvendin e Kosovës është pasqyrim i gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, përgjatë vitit raportues, si dhe reflektim i punës dhe rolit të Avokatit të Popullit, si mekanizëm i pavarur kushtetues, në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e punës së autoriteteve publike, përkitazi me respektimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve, miradministrimin, transparencën dhe llogaridhënien.
Raporti përmban të gjeturat e Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017 lidhur me rastet e shkeljeve sistematike dhe individuale të lirive dhe të drejtave të njeriut, rekomandimet, opinionet, si dhe propozimet për ndërmarrjen e masave që kontribuojnë në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe aktivitetet e institucionit, në drejtim të promovimit dhe edukimit për të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit mirëpret shqyrtimin e Raportit vjetor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë plenare, sikurse është e paraparë në Ligjin për Avokatin e Popullit.