Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, përmes një deklarate në Ditën e Lirisë së Shtypit, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të fuqizojnë aktivitetet për të siguruar transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënies publike dhe lirisë së shtypit, si bazë e respektimit të të drejtave të njeriut.
Në deklaratën e tij ai thekson:
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, 3 maj 2018, përsëri e gjen vendin në përpjekje për t’i tejkaluar sfidat e deritanishme, në drejtim të garantimit të lirisë së shtypit si e drejtë themelore, dhe tregues i nivelit të zhvillimit të demokracisë dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Simbolika e kësaj date është përqendrimi i vëmendjes në vetë rëndësinë e lirisë së shtypit, diskurs i konceptit të demokracisë dhe barazisë së të gjithë njerëzve, duke reflektuar drejtpërdrejt në të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes.
Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim të ndërgjegjësimit për rëndësinë e lirisë shtypit, si dhe për të sjellë në vëmendje qeverive detyrën e tyre për të respektuar dhe mbështetur të drejtën e lirisë së shprehjes, e drejtë e garantuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, mori vendim për caktimin e kësaj date, si Ditë Botërore e Lirisë së Shtypit.
Lidhur me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, Avokati i Popullit, më 2 nëntor 2017, ka publikuar Raportin me Rekomandime Nr. 707/2017, të iniciuar Ex officio, me qëllim të trajtimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve, me theks të veçantë, sigurinë e gazetarëve në përmbushjen e misionit që kanë. Në fokus të raportit janë rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Raporti ka theksuar kompleksitetin e vendosjes së balansit në mes lirisë së shprehjes, si e drejtë fundamentale, dhe përcaktimin e kufijve të saj në raport me të drejtat e tjera.
Raporti ka tërheqë vërejtjen mbi nevojën e avancimit të kornizës legjislative, e cila do të garantonte mbrojtje të mjaftueshme për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, të ketë koordinim ndërmjet policisë dhe prokurorit të shtetit, si dhe trajtim me prioritet nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor për veprat e kryera kundër gazetarëve.
Avokati i Popullit fton institucionet e vendit që të fuqizojnë aktivitetet për të siguruar transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënies publike dhe lirisë së shtypit si bazë e respektimit të të drejtave të njeriut, të zbatojnë rekomandimet e organizatave ndërkombëtare në lidhje me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe gjyqësorin që rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve t`i trajtojë me prioritet dhe t’i zgjidhë në mënyrë efektive, gjithnjë duke u bazuar në praktikën GJEDNJ.