Avokatët e Popullit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut vizitojnë ekspozitën për fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës

Prishtinë | 02 Dhj 2021 | 15:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, është vizituar nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, shkruan EkonomiaOnline.

Në këtë ekspozitë shihen rrobat dhe gjërat e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, tregoi arsyet pse ka vendosur që me homologët e tij të vizitojë këtë ekspozitë.

“Pas takimit që kishim ndërmjet institucioneve tona, kam vendosur t’i sjelli këtu me e pa këtë ekspozitë për faktin se sa e ndjeshme mund të jetë kjo që shohim këtu dhe sa më shumë shtohet përgjegjësia instucionale për të bërë më shumë drejt zbardhjes së rasteve të krimeve të luftës, që së paku shoqëria jonë të gjejë paqe, duke qenë të sigurt që kryesit e këtyre krimeve kanë dalë para drejtësisë, dhe në anën  tjetër familjet e kuptojnë se është vendosur drejtësia. Është përgjegjësi institucionale dokumentimi i këtyre rasteve, sepse në rast se nuk arrijmë me bërë këtë, atëherë rruga drejt së ardhmes do të jetë e vështirë”, tha ai.

E eomocionuar u pa Erinda Ballanca, Avokate e Popullit të Shqiperisë.

“Në fakt këto janë momente emocionale, dhe unë si nënë e kam të pamundur të jap një prononcim që mos të ndikohet prej dhimbjes. Pra çdo gjë që e them, e them si nënë që e ndjen sepse mund të kishte qenë edhe fëmija i saj pre e një ngjarje të tillë e ngjashme. Mesazhi im është se njerëzimi ka parë mjaft ngjarje të tilla dhe vazhdimi i një praktike të tillë qoftë ne Ballkan apo kudo, është një kambanë e tmerrshme alarmi”, tha ajo.

Naser Ziberi, Avokat i Popullit të Maqedonisë së Veriut, e quajti pikëllues përfundimin e kësaj vizite, duke mësuar historinë e fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Nuk e dija se përfundimi i kësaj vizitë mund të jetë i tillë, pikëllues, sepse ma riktheu në jetë një histori që e kemi përjetuar së bashku, por njëherit ndjej kënaqësi të veçantë që e keni bërë këtë punë, që keni dokumentuar një segment të tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës, pra me të dhimbshmin. Sepse njeriu për nga natyra ka veti që të harrojë shpejt të kaluarën dhe sidomos tragjeditë nëpër të cilat ka kaluar, dhe gjeneratat që vijnë edhe më tepër e harrojnë, por çka është me rëndësi që faktori ndërkombëtar si duket sa kalon koha krijohet një distancë, dhe dalëngadalë e barazon viktimën me agresorin, madje në raste të caktuara edhe e shpërblen, që është një padrejtësi e rëndë, e që ne shqiptarët e përjetojmë edhe më rëndë”, tha Ziberi.

Ndërsa Bekim Blakaj, tha se është i lumtur me vizitën e tyre në këtë ekspozitë të cilën e kanë bërë së bashku me familjen e fëmijëve që kanë humbur jetën. Gjithashtu, kërkoi që institucionet vendore të vijnë ta vizitojnë këtë ekspozitë.

Të ngjashme