Hovenier pas takimit për Asociacionin: Nuk mbështesim asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës

Prishtinë | 31 Jan 2023 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij e ka bërë të qartë se nuk mbështet asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës. 

“Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Hovenier, pas një diskutimi që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (AKShS).

“Diskutimi i sotshëm pasqyron rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë i japin çështjes që Kosova të zbatojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”.

Por, Hovenier përsëriti qëndrimin e ShBA-së se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e saj, përfshirë formimin e Asociacionit. “Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.  Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente.  Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”.

Deklarata e plotë për shtyp e ambasadorit Hovenier pas diskutimit për AKShS-në

Ambasada e SHBA-së sot ishte nikoqire e një grupi të larmishëm për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Demokracia përfshirëse kërkon shkëmbim të ideve me respekt.  Ne e organizuam këtë diskutim me një sërë palësh të interesuara për të dëgjuar larminë e pikëpamjeve për këtë temë dhe për të kërkuar gjuhë të përbashkët, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të obligimeve që Qeveria e Kosovës i ka marrë për zbatimin e një AKShS-je.

I dëgjuam drejtpërdrejtë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e një AKShS-je dhe si mund të arrihet kjo në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik. Këto perspektiva janë të rëndësishme për avancimin e përparimit të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.

Në mesin e pjesëmarrësve pati zyrtarë të qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, udhëheqës politikë dhe anëtarë të korpusit diplomatik.

Partneriteti ynë me Kosovën është i palëkundur. Diskutimi ynë i sotshëm pasqyroi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës.

Donim të kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për një AKShS: çka do të mund të ishte dhe si mund të ofrojë shërbime për qytetarët e Kosovës, por gjithashtu edhe çfarë kapacitetesh nuk mund dhe nuk do të duhej t’i ketë.

Diskutimi ynë pra u përqendrua në tri tema.

Një, si mund të funksionojë AKShS-ja në praktikë?

  • Pjesëmarrësit ngritën një varg temash, duke përfshirë pikëpamjet rreth përgjegjësive dhe kufizimeve të mundshme të një Asociacioni.

Dy, si mund të funksionojë një Asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës?

  • Dëgjuam këndvështrime për Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Tre, si mund një AKShS të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efikas të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë?

  • Dëgjuam pikëpamje se si një AKShS mund të ndihmojë në adresimin e çështjeve dhe nevojave që janë themelore për çfarëdo komuniteti, si për funksionet për cilat të gjitha komunat e Kosovës janë përgjegjëse, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi ekonomik lokal.

Diskutimi i sotshëm pasqyron rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë i japin çështjes që Kosova të zbatojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Edhe pse disa zyrtarë të ShBA-së tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.  Nuk mbështesim asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës.  Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Presim që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj.  Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.  Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente.  Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve.

Shkëmbimi i sotshëm i ideve nxori në pah idetë e hisedarëve që janë thelbësore për të siguruar që një AKShS do të jetë përgjegjëse ndaj nevojave të komuniteteve, të cilave synohet t’ju shërbejë.

Pjesëtarët e qeverisë tani kanë mundësi që të shqyrtojnë atë që u tha dhe t’i përfshijnë ato këndvështrime në punën e qeverisë për këtë çështje të rëndësishme.

Shpresojmë se diskutimi do të frymëzojë zotim të ri dhe përpjekje të ripërtërira për të punuar drejt krijimit të AKShS-së, që ne konsiderojmë se do të jetë kritik përderisa Kosova ndërton të ardhmen e saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik, demokratik dhe i pavarur që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndajnë këtë vizion me popullin e Kosovës dhe do të vazhdojë të qëndrojë krah tij si mike dhe aleate.

Të ngjashme