Avokati i Popullit merr pjesë në konferencën botërore INO-së

Prishtinë | 17 Nën 2016 | 15:50 | Nga

Avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, po merr pjesë në konferencën e 11-të botërore të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve, nikoqir i së cilës është Zyra e Ombudsmanit të Tajlandës.

Konferenca po i zhvillon punimet në Bangkok, nga 14 -19 nëntor 2016.

Tema e kësaj Konference “Evoluimi i Institucioneve të Ombudsmanëve” dhe prezantimet në sesionet plenare, pritet të jenë frytdhënëse për Konferencën, diskutimet e së cilës do të ndahen në nën tema të veçanta, që përfshijnë vlerësimin e punës së Ombudsmanëve; qasjen e bazuar në të drejta të njeriut gjatë punës së tyre; jurisdiksionet e shumëfishta të Zyrave të Ombudsmanëve dhe sfidat sa i përket kësaj; bashkëpunimin me shoqërinë civile; lirinë e informacionit dhe mediat; punën e Ombudsmanëve në kohë krizash dhe nën kërcënim, si dhe relacionin ndërmjet Ombudsmanëve dhe Mandatit të Mekanizimit Kombëtar për Parandalim.

Ftesa për të marrë pjesë në këtë Konferencë ka ardhur nga Presidenti dhe Sekretari i IOI-së, si dhe nga Ombudsmani i Tajlandës, Zyra e të cilit i ka mbuluar shpenzimet e akomodimit gjatë Konferencës, në të cilën Avokati i Popullit, në cilësinë e panelistit, paraqiti fjalën e tij, në ditën e dytë të punimeve, në sesionin mbi bashkëpunimin e Institucioneve të Ombudsmanëve me shoqërinë civile.

Avokati i Popullit ka rikujtuar historikun formal juridik të Institucionit të Ombudsmanit, dhe progresin e krijimit të mbi 110 institucioneve të tilla në mbarë botën, të cilat po vazhdojnë të fuqizojnë rrjetëzimin  dhe koordinimin për të ushtruar ndikim në funksion të të drejtave dhe lirive të njeriut, në nivel regjional dhe global.

Më tutje, ai ka theksuar edhe zhvillimin e hovshëm të sektorit joqeveritar, në trend me zhvillimet progresive, në gjithë botën.

Duke elaboruar përkufizimin e mandateve që kanë, Avokati i Popullit ka veçuar pavarësinë që gëzojnë institucionet e Ombudsmanëve dhe organizatat joqeveritare, duke e konsideruar pikërisht këtë element, si pikë që i bashkon në ushtrimin e mandateve të tyre.

Po ashtu, ai ka vlerësuar edhe profilizimin e shumë organizatave joqeveritare në çështje të të drejtave të njeriut.

“Në disa shtete, për Ombudsmanët, por edhe për OJQ-të, gjenerata e parë e të drejtave, të njohura si të drejta civile dhe politike, janë me prioritet për shoqëritë përkatëse. Në disa të tjera, gjenerata e dytë e të drejtave të njeriut, të njohura si të drejtat ekonomike dhe sociale, përbëjnë aktivitetin kyç të orientimit të OJQ-ve, por edhe të Ombudsmanëve dhe gjenerata e tretë e të drejtave të njeriut, që përbëjnë të drejta, si mbrojtja e ambientit, e të dhënave personale apo të drejtave kulturore, përfshijnë institucionet e Ombudsmanëve por edhe të OJQ-ve, që po ashtu kanë shtrirje dhe rrjetëzim në nivel nacional, regjional dhe ndërkombëtar”, ka thënë Jashari.

Ai ka shtuar se “të gjitha të drejtat dhe liritë e përcaktuara nga cilado gjeneratë e të drejtave të njeriut, përbëjnë bazën për punë të përbashkët mes Ombudsmanëve dhe organizatave joqeveritare, në avancimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe në forcimin dhe zhvillimin e demokracisë.

Më tej, Avokati i Popullit ka paraqitur para pjesëmarrësve në Konferencën e 11-të botërore të Institutit  Ndërkombëtar të Ombudsmanëve, përvojën e tij si Avokat i Popullit në iniciativa dhe projekte të përbashkëta me organizatat joqeveritare vendore në Kosovë apo me ato të përfaqësuara përmes zyrave apo misioneve në vendin tonë.

Duke folur për standardet ndërkombëtare dhe vendore të bashkëpunimit mes Institucioneve Nacionale për të Drejtat  e Njeriut dhe shoqërisë civile, Avokati i Popullit ka theksuar se ekziston një bazë e përshtatshme juridike për fuqizimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Shumica e mekanizmave raportues të Kombeve të Bashkuara, si mbështetje primare kanë mekanizmat e Ombudsmanëve dhe OJQ-të dhe kontributin për hartimin e raporteve të komiteteve përkatëse, ka thënë Jashari.

Ai ka shtuar se e njëjta përvojë reflektohet edhe në mekanizmat regjional, duke sjell përvojën e tij sa i përket  kontributit në CPT (Komiteti për Mbrojtje nga Tortura), ose Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, përderisa, në aspektin formal juridik, ai ka theksuar se bashkëpunimin e përcakton edhe njëri nga dokumentet bazë në nivelin global për punën e Ombudsmanëve, përkatësisht kapitulli II dhe III i Parimeve të Parisit,  ku kërkohet bashkëpunimi  ndërmjet Institucioneve Kombëtare për të Drejta të Njeriut dhe organizatave  joqeveritare.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka thënë se u takon institucioneve të Ombudsmanëve dhe OJQ-ve të gjejnë modalitetet e bashkëpunimit dhe koordinimit, që janë sfidë në vetvete, por që bazuar në modelet e testuara, të tillat mund të përfshijnë: bashkëpunimin në ofrimin e ndihmës juridike falas dhe përfaqësimin gjyqësor; krijimin e softuerëve të përbashkët të publikimit të rekomandimeve; shfrytëzimin e mekanizmave të parlamenteve dhe qeverive për zbatim të rekomandimeve; projektet dhe hulumtimet e koordinuara të përbashkëta; nisma dhe përkrahje në hartimin e legjislacionit dhe këshillimin në fusha të ndryshme të lirive dhe drejtave nga personalitete të njohura të sektorit joqeveritar.

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) është anëtar me të drejtë vote në IOI, prandaj gjatë zhvillimit të punimeve Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka marrë pjesë edhe në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të IOI-së, ku është zgjedhur Bordi dhe është votuar për reforma elektorale në IOI.

Konferenca e 11-të botërore e Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve, e cila mbahet çdo katër vite, është duke i vazhduar punimet e saj!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme