Avokati i Popullit në vitin 2017 ka pranuar 1774 ankesa

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 11:56 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë këtij viti në zyrën e Avokatit të Popullit ankesa të ndryshme kanë paraqitur 3144 persona me 1774 ankesa.

Të papranueshme janë shpallur 925 ankesa, për hetim nga këto ankesa janë hapur 819 raste, derisa 61 raste janë hapur sipas detyrës zyrtare, raporton Ekonomia Online.

Nga autoritetet që kanë bërë ankesa te Avokati i Popullit prijnë gjykatat me 26%, pastaj vijnë ministritë më 25 %.

Këto të dhëna u bënë publike në raportin e punës së paraqitur nga zyra e Avoaktit të Popullit për këtë vit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se Kosova ka shënuar rezultate pozitive duke u radhitur e para në barometrin  e Ballkanit.

“Këtë vit rezultati më i madh është barometri i Ballkanit ku Kosova ka dalë e para. Ndërsa ne fokus te veçantë është kusht në promovimin e të drejtave të njeriut sepse institucioni i Avokatit të Popullit merret me promovimin e të drejtave të njeriut”.

Ai përmendi edhe problemet më të mëdha të cilat u raportuan gjatë këtij viti.

“Problemet më të theksuara janë funksionimit të administratës publike dhe sistemit gjyqësore në Kosovë”, u shpreh ai.

Zëdhënësja në zyrën e Avokatit të Popullit Majlinda Lulaj tha se këtë vit janë zgjidhur një numër i madh i rasteve.

“Ishte numër i madh i madh, 314 ankesa të zgjidhura pozitivisht si raste në pajtim me kërkesën e ankuesit, sepse shpesh herë mund ta dëgjoni në opinionin publik duke thënë që fuqia e institucionit të avokatit të popullit janë vetëm rekomandimet dhe sikur nuk shkohet përtej kësaj”.

Gazetarit të gazetës “Zërit” Enis Veliu ju nda mirënjohje “Për kontribut të veçantë në fushën e të drejtave të njeriut” nga zyra e Avokatit të Popullit.

Veliu në një prononcim për Ekonomia Online, tha se çmimi me të cilin ai u shpërblye nga Avokati i Popullit ka të bëjë me hulumtimin e tij për energjinë elektrike e cila është shpenzuar në veri, por që është paguar nga qytetarët e tjerë në Kosovë.

“Sot Avokati i popullit më ka ndarë mirënjohje për një hulumtim që e kam bërë gjatë vitit 2017 i cili ka të bëjë me energjinë e cila është shpenzuar në veri të Kosovës, e që ajo energji fatkeqësisht për 16 vite me radhë ju ka faturuar qytetarëve tjerë në pjesën e Kosovës. Këtu bëhet fjalë për një faturim të paligjshëm i cili kalon vlerën mbi 100 milion euro të cilin në mënyrë të paligjshme prapë e kanë paguar qytetarët e Kosovës përmes vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)”, u shpreh ai.

Të ngjashme