Avokati i Popullit ka publikuar sot Mendimin Juridik në cilësinë e Mikut të Gjykatës, i cili i është drejtuar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me Paditë ndaj Autoritetit të Likuidimit, të paraqitura nga ish-punëtorët e Ndërmarrjes Shoqërore “Sharr Salloniti” nga Hani i Elezit, të cilat janë duke u trajtuar në këtë Gjykatë.
Mendimi Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës ka për qëllim ofrimin e ndihmës ligjore për krijimin e mundësisë së zgjidhjes efektive dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare përktazi me këto raste.
Vlerësimet dhe konstatimet e Avokatit të Popullit, lidhur me këtë çështje bazohen në të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj (KEDNj) dhe praktiken e Gjykatës Evropiane për të Drejtat Njeriut (GjEDNj).
Nga informatat dhe dokumentacioni me të cilat Institucioni i Avokatit të Popullit disponon, rezulton se ish-punëtorët e Ndërmarrjes Shoqërore “Sharr Salloniti“ e cila ka hyrë në procedurë të likuidimit në vitin 2011, kanë paraqitur kërkesat e tyre pranë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) për kompensim dëmi shëndetësor, të përfituar si pasojë e ekspozimit ndaj asbestit gjatë punës.
Sa i përket ankesave kundër vendimeve të Autoritetit të Likuidimit, të paraqitura pranë Dhomës së Posaçme nga ish-punëtorët e ndërmarrjes “Sharr-Salloniti”, të paraqitura nga viti 2014, Avokati i Popullit konsideron se kemi të bëjmë me zvarritje procedurale, për shkak se nga koha e paraqitjes, ende nuk i janë nënshtruar procedurës së trajtimit.
Pos kohëzgjatjes procedurale për zgjidhjen e këtij rasti, Avokati i Popullit shfaq shqetësimin nëse lëndë të natyrës së njëtë, trajtohen në mënyrë individuale nga Dhoma e Posaçme.
Gjatë analizës, Avokati i Popullit thekson se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se ekspozimi ndaj asbestit është një nga elementet kryesorë për shkaktimin e sëmundjeve profesionale. Përderisa një numër i madh shtetesh kanë miratuar legjislacion të posaçëm për parandalimin e shkaktimit të dëmeve shëndetësore nga ky material, përfshirë edhe kriteret për dëmshpërblimin e punonjësve të dëmtuar, në Kosovë nuk është rregulluar me legjislacion specifik kjo problematikë dhe as mënyra e dëmshpërbilmit tek punonjësit e prekur nga kjo.
Në përmbyllje të Mendimit Juridik, Avokati i Popullit konkludon se do të ishte e përshtatshme që Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në rastin konkret të tregoj prakticitet efektiv për zgjidhjen e rastit të ish-punëtorëve të ndërmarrjes “Sharr Salloniti”, duke i dërguar informacion specifik AKP-së, lidhur me numrin dhe vlerën e ankesave të paraqitura kundër vendimeve të Autoritetit të Likuidimit; të parandalojë vonesat e mëtutjeshme në trajtimin e lëndëve të paraqitura nga këta ish-punëtorë dhe të praktikojë bashkimin e lëndëve për çështje të njëjta e t’i trajtojë ato bashkërisht me një aktgjykim.
Gjithashtu, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Avokati i Popullit sugjeron që Dhoma e Posaçme të tregojë prioritet ndaj trajtimit të këtyre lëndëve, duke mënjanuar pengesat strukturore që do të shkaktonin vonesa dhe t’i kushtojë vëmendje të posaçme praktikës së GjEDNj-së, për zgjidhjen efektive të tyre.
Mendimi Juridik në formatin e tij të plotë, i është përcjellë sot Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe i njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së.