Bastisja nga Prokuroria Speciale në banesën e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, e cila nisi që në orën 08:30 po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes.
Artan Qerkini, avokat i Adil Behramajt, i cili foli shkurt para gazetarëve, rreth orës 17:00, tha se nuk e di sa do të zgjasë bastisja.
Ai konfirmoi se aksioni po kryhet në banesën e Adil Behramajt, por tha se nuk i dinë ende arsyet.
“Pas bastisjes do të jepen detaje më të hollësishme”, tha Qerkini, raporton Ekonomia Online.
“E gjithë kjo do të bëhet e ditur pas procesit. Kjo nuk varet prej neve kjo varet nga ata që janë duke zhviluar bastisjen”, tha Qerkini.
Në lidhje me bastisjen, nga ZPS-ja kanë refuzuar të japin komente.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton mbi hetimet e veta”, është shprehur Christopher Bennett.
Në lidhje me bastisjen e banesës së Behramajt, i cili tani udhëheq mediumin “Demokracia”, ka reaguar ish-kolegu i tij, Artan Behrami.
Ai ka thënë se ky është një skandal dhe se është kërcënim i hapur i gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë.
“Bastisja e banesës së mikut tonë dhe udhëheqësit të mediumit ‘Demokracia’, Adil Behramajt nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është një skandal i paprecedent. Ky është një kërcënim i hapur ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë. Pa paragjykuar motivet, frikësimi i gazetarëve nuk i bënë nder Prokurorisë Speciale!”, ka shkruar Behrami në një postim në Facebook.