Ngjarja tragjike në Gjilan, ku mbetën tre të vrarë, që dyshohet se ka lidhje me fajdet, është vetëm pasoja më e re tragjike nga kjo dukuri.
Avokati Tomë Gashi në intervistë për Ekonomia Online vë në pah se fajdet shpesh lidhen me kërcënime, shantazhe dhe forma të tjera të dhunës, veçanërisht kur përfshihen grupe të organizuara kriminale.
Ai tha se në të kaluarën edhe bankat kanë pasur një pjesë të fajësisë për shkak të kushteve të ashpra për kredi dhe normave të larta të interesit, që kanë shtyrë shumë persona në nevojë t’i drejtohen huadhënësve të paligjshëm.
“Dukuria e fajdeve ka mundur të lindë dhe një pjesë të fajësisë e kanë edhe bankat, posaçërisht në të kaluarën kur kanë qenë kamatat marramendëse, diku rreth 15 për qind apo më tepër. Persona të caktuar për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të marrin kredi, mund të jetë një presion që persona në nevoja të rënda i janë drejtuar personave të caktuar dhe kanë marrë para me fajde. Dënimet për raste të tilla janë të rënda. Dënimi mund të jetë deri në 10 vjet burg dhe pasuria, e cila identifikohet që është krijuar përmes fajdeve, ajo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit konfiskohet nga gjykata. Kjo dukuri është e shëmtuar. Ka edhe raste , të cilat ata apo familjarët e tyre që kanë marrë para me fajde, për periudha të gjata kohore, ka raste që kanë kryer vetëvrasje duke pretenduar që këputet zinxhiri i fajdeve, për shkak se kanë sjellë familjet e tyre në pozita të rënda. Nuk ka rast të fajdeve që realizohet pa pasur kërcënime. Zakonisht ka vepra të tjera që përfshihen në raste të hetimit, të akuzimit apo të gjykimit për rastin e fajdeve, gjithmonë ka edhe vepra të tjera për shkak se dikë e detyrojnë me frikësim dhe metoda të tjera që janë të rrezikshme kur kemi të bëjmë me grupe të organizuara”, tha Gashi.
Avokati shtron nevojën për kujdes që huazimet mes individëve të mos shndërrohen në fajde dhe shtoi se institucionet nuk mund të veprojnë pa informacione të sakta dhe denoncime konkrete.
“Grupet e organizuara i ndajnë rolet: dikush i jep paratë, dikush shkon për t’i marrë, janë dhe grupe të tjera që mund t’i sulmojnë personat e caktuar apo t’i frikësojnë, shantazhojnë, kërcënojnë dhe raste të tilla. Raste, të cilat nuk përfundojnë mirë. Ka raste që persona të caktuar për shkak të besueshmërisë që kanë dhe mënyrës së jetës, japin para huazim dhe ato huazime nëse nuk i kthen, mund të frikësojë vetë personin që ka dhënë para si huazim për të ndihmuar dikë që ka kërkuar dhe në situata të caktuara ta paraqesin si fajde. Çdo rast është unik. Duhet të themi që edhe personat që marrin, ka raste që pretendojnë se do ta përfundojnë punën e tyre me një shumë të parave në një periudhë të shkurtër dhe vazhdojnë me muaj e vite dhe shumat janë marramendëse që rrallë dikush mund t’i durojë. Duhet të kenë kujdes që dikush që merr para si huazim mos ta shndërrojë në fajde pastaj ta fajësojë personin që i ka dhënë paratë. Institucionet nuk mund të bëjnë asgjë, derisa nuk kemi identifikim të personave. Institucionet nuk mund të shkojnë derë më derë të hulumtojnë se a kanë marrë para me fajde apo jo” tha për Ekonomia Online, Gashi.

—