Në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe nëse ndaj të njëjtit shqiptohet dënim nga gjykata, ky i fundit mund të dënohet me 6 muaj deri në 5 vite burgim efektiv për veprën “sulm ndaj personit zyrtar”.
Kështu ka bërë të ditur për lajmi.net avokati i lëmisë penale, Asdren Hoxha, duke iu referuar nenit 402, paragrafit 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Kodi Penal i Kosovës e rregullon çështjen në fjalë. Përcakton në nenin 402 paragrafin 2 përkatësisht paragrafin 4 veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar. Neni 402 paragrafi 2 përcakton dënim nga 6 muaj deri në 5 vite, kurse paragrafi 4 i të njëjtit nen përcakton dënim nga 1-8 vite”, deklaroi Hoxhaj për lajmi.net.
Ai shpjegon edhe dallimet mes paragrafit 2 dhe 4 të Kodit Penal, të cilët specifikojnë rrethanat e kryerjes së veprës penale në fjalë.
“Dallimi në mes paragrafit 2 dhe paragrafit 4 të nenit 402 të KPRK-së është se paragrafi 2 vjen në shprehje kur bëhet fjalë vetëm për sulm ndaj zyrtarit, në këtë rast policit, kurse paragrafi 4 përcakton pra lëndim më të rëndë, respektivisht nëse polici ka pësuar lëndim trupor”, njoftoi më tej ai.
Siç përkufizon neni 402, pika 1 dhe 2 e Kodit Penal, “1. Kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare, në lidhje me detyrat zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”.
“2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1 përfshin gjyqtarin, prokurorin, policin, zyrtarin doganor, zyrtarin korrektues, në lidhje me detyrat zyrtare, sigurinë e përgjithshme, sigurinë e Republikës së Kosovës apo ruajtjen e rendit publik, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që Molliqajt dhe aktivistit të PSD-së, Adem Megjuani, t’u caktohet masa e paraburgimit prej një muaj.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, për lajmi.net.
Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate e konsideron si politik arrestimin e aktivistit Megjuani dhe arrestimin e mbrëmshëm të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj. Kësisoj, ata kanë paralajmëruar veprime ndaj këtyre zhvillimeve.