Avokatja e Feim Berishës: Ajo e provokoi hapur

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë të akuzuarin Feim Berisha, i cili në tetor të këtij viti, ka rrahur brutalisht një grua në një market në kryeqytet.

Fillimisht, Berisha ishtë dënuar me gjashtë muaj burgim, por me propozim të avokates Teuta Çaushi, dënimi me burgim i është zëvendësuar me gjobë, raporton BetimipërDrejtësi.

Avokatja Çaushi e ka kundërshtuar aktakuzën, pasi sipas saj, në rastin konkret nuk ka ekzistuar motivi, qëllimi as dashja, në kryerjen e veprës penale që i vihet në barrë të mbrojturit të saj, Berisha.

Ajo ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur me provokimin e të dëmtuarës. Sipas avokates, i akuzuari nuk ka ditur të gjejë zgjidhjen më të mirë, duke u përgjigjur në mënyrë të gabuar, për çka është penduar dhe ndihet fajtor.

Sipas avokates, duhet të merren parasysh veprimet e të dëmtuarës, e pastaj të të pandehurit.

Avokatja Teuta Çaushi i ka propozuar gjykatës që masa e paraburgimit të mbrojturit të saj, Berisha t’i hiqet me arsyetimin se nuk përmbushen kushtet dhe arsyeje për vazhdimin e të njëjtës.

Tutje, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Rukije Sheshivari, i akuzuari Berisha tha se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“Pendohem shumë dhe i kërkoj falje nga zemra”, deklaroi Berisha.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Rukije Sheshivari, e më pas u aprovua nga gjykatësi Jashari.

Aktakuza e ngritur më 21 dhjetor 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Femi Berishën se në tetor të këtij viti, brenda një marketi në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme verbale me të dëmtuarën S. B. H., në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore, të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim.

Në aktin akuzues thuhet si pasojë e kësaj mosmarrëveshje i akuzuari Berisha me dashje të shkaktimit të lëndimeve trupore e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën B. H., fillimisht ia ka shtyrë shportën metalike pastaj e ka goditur me të njëjtën në trup, që është mjet i përshtatshëm për lëndime të rënda trupore.

Tutje, thuhet se pasi i njëjti e ka larguar gruan e tij është kthyer dhe e ka goditur me grushte në kokë, me ç’rast tek e dëmtuara ka shkaktuar dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Me këtë, Femi Berisha akuzohej se ka kryer “Lëndim të lehtë trupor”, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo me të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

https://ekonomiaonline.com/nacionale/siguri/feim-berisha-denohet-me-2-mije-e-400-euro-gjobe-per-rrahjen-brutale-te-nje-gruaje-ne-interex/?fbclid=IwAR2WC0JsHxfq1BTcfM6lzuBqoJWs5n_5tGYGRjnCU3Dqfc3nK_qrkZ7HmwU
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme