Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka nisur procedurat hulumtuese ndaj Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) më datë 15.07.2024, lidhur me raportin inspektues të procesit të konkursit për gradimin në gradën rreshter të policëve.
IPK ka nxjerrë raportin e inspektimit në përputhje me nenin 27 të Ligjit nr. 03/L-231 për Inspektoratin Policor, i cili është përfundimtar pasi është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv.
Pas pranimit të informacioneve nga burimet tona se ka pasur keqpërdorime në lidhje me mënyrën dhe trajtimin e informacioneve dhe inspektimit nga ana e IPK-së, AVONET menjëherë ka filluar hulumtimet për këtë rast.
IPK, me veprimet e saj, po pengon hulumtimet e AVONET-it duke mos ofruar qasje në dokumentet e inspektimit, të cilat është e detyruar ligjërisht t’i ofrojë.
Përmes vendimit refuzues ndaj kërkesave të AVONET-it, IPK ka kryer shkelje ligjore duke tejkaluar kompetencat e saj, dhe me këtë po fsheh dokumente zyrtare, duke ngjallur më tej dyshimet se ka pasur keqpërdorime në lidhje me këtë raport.
Në shkresën e drejtuar IPK-së, AVONET ka theksuar se kushtet ligjore për bërjen e këtij dokumenti publik janë pjekur, pasi procedura hetimore ka përfunduar. IPK ka theksuar se ka pranuar 13 ankesa dhe informacione lidhur me procesin e gradimit të policëve, por të njejtët e kanë nxjerrur raportin e inspektimit dhe se Drejtori i Policisë tashmë ka anuluar të gjithë procesin, të dy ndodhi duke konfirmuar përfundimin e hetimit.
Sipas nenit 17, paragrafi 3.1 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, dokumentet që lidhen me zbatimin e funksioneve publike dhe menaxhimin e marrëdhënieve të punësimit të zyrtarëve publik duhet të jenë të qasshme për palët e interesuara. Refuzimi i qasjes në këto dokumente, siç ka bërë IPK, përbën një shkelje ligjore, dhe vendimi për refuzim është i kundërligjshëm.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, si dhe Drejtorisë për Zhvillim të Performancës dhe Karrierës, ka shprehur gatishmëri për të ofruar dokumentet e kërkuara nga AVONET. Megjithatë, këtë rrugë hulumtimi e kemi lënë si opsion të fundit, dhe IPK duhet ta ketë të qartë se do ta ndjekim këtë rrugë nëse detyrohemi ta bëjmë. Për arsye të korrektësisë dhe për të siguruar një mbledhje të plotë dhe të saktë të të gjitha informacioneve dhe dokumenteve, sipas standardeve të hulumtimeve, është e nevojshme të shqyrtojmë hapat e subjektit të hulumtimit dhe jo të subjektit që vetëm i ka prodhuar ato dokumente.
Edhe pse AVONET më datë 13 gusht 2024 ka dërguar shkresë zyrtare për reflektim ndaj veprimeve të IPK-së, këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje. Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate njoftojmë opinionin publik se AVONET do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për trajtimin e këtij rasti.