Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar sot në Bruksel komisionerin për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe komisioneri Avramopoulos diskutuan gjerësisht të arriturat e deritashme dhe hapat e fundit që duhet të ndërmerren nga Kosova në procesin e liberalizimit të vizave.
Komisioneri Avramopoulos, nga pozita që ai mbulon, vlerësoi lartë progresin e arritur nga Qeveria e Kosovës duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Komisioneri Avramopoulos shprehu përkrahjen e tij dhe të Komisionit Evropian në këtë proces, për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë që të ndihmojë këto institucione në procesin e demarkacionit.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Isa Mustafa do të zhvilloj takim me Presidentin e Partive Popullore Evropiane, për të kërkuar përkrahjen e tyre në Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian dhe në Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe avancimin e proceseve të tjera eurointegruese të Kosovës.