Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistë e studentë, po mirëpritet nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i saj, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se kjo ndihmë është e mireseardhur për punëtorët, sidomos për festën e Bajramit, por do të luftojnë që të gjenden zgjidhje të përhershme.
“Ne si sindikatë mendojmë se edhe 10 cent nëse Qeveria e Kosovës i ndan për punëtorët është një diçka për të cilën e ndjen se ka obligim ose do ta zbusë gjendjen. Megjithatë ne luftojmë që këto zgjidhje të bëhen të përhershme dhe jo të përkohshme”.
“Pjesa e ndarë prej 100 euro mund të themi se është një vendim i mirë. Por kërkesat tona janë rritja e pagës, krijimi i kushteve më të mira… Këto 100 euro, mendoj që për festën e Bajramit ndoshta një pjese bukur të madhe të familjeve do t’ua plotësojnë nevojat elementare, përndryshe kjo nuk është një zgjidhje që të themi se e kryem një obligim”.
“Jo. Mendojmë se Qeveria e Kosovës nuk e ka kryer obligimin, Qeveria në vazhdimësi duhet të merret me këto probleme. Është kjo sikurse të themi se bie shi për një minutë dhe gjithçka aty përfundon. Faleminderit kryeministër që i ndave nga 100 euro, por problemin nuk e ke zgjidhur”, tha Azemi.