Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i AAK-së, Ardian Azemi ka thënë se kryeministri Kurti nuk duhet të vazhdoi tutje me arrogancën e numrave në Kuvend e Qeveri por të thërras takim urgjent me të gjitha forcat politike për të krijuar unitet në raport me temat nacionale.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati mbetur i vetëm me taksën, në kohën kur Kosova ishte faktorizuar edhe në raport me Serbinë, por edhe me ndërkombëtarët.
“Ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj e lanë vetëm në temën e taksës, masë e cila e pati faktorizuar Kosovën në tavolinë me Serbinë, por edhe në raport me ndërkombëtarët. Përfundimisht Republika jonë ishte shndërruar në faktor të rëndësishëm në secilën tryezë ndërkombëtare. Madje, është shumë e nevojshme të kujtojmë se taksa dhe këmbëngulësia e kryeministrit Haradinaj në të drejtën e shtetit dhe popullit të Kosovës, i hoqi nga tavolina e bisedimeve shumë tema të cilat i rrezikonin të arriturat në Kosovë”.“Pavarësisht gatishmërisë dhe kërkesave të njëpasnjëshme të kryeministrit Haradinaj për unitet politik karshi Serbisë, u bojkotua edhe nga partnerët e koalicionit, edhe nga opozita e atëhershme, sot në pushtet”, ka shkruar Azemi.
Ai ka thënë se numrat në Kuvend dhe në Qeveri nuk kryejnë punë në raport me zhvillimet e fundit dhe me temat që e presin Kosovën në një të ardhme të afërt, dhe për këtë sipas Azemit, duhet unitet.
“Tani aksioni i shtetit të Kosovës në kufi me Serbinë, anipse edhe për qëllime të tjera, duhet ta unifikojë politikën. Kryeministri Kurti nuk duhet të vazhdoi tutje me arrogancën e numrave në Kuvend e Qeveri. Ai duhet të thërret takim urgjent me të gjithë liderët e partive parlamentare dhe ato jashtë parlamentit për të krijuar unitetin në raport me temat nacionale. Numrat në Kuvend nuk kryejnë punë në raport me zhvillimet e fundit dhe me temat që e presin Kosovën në një të ardhme të afërt. Duhet unitet”, është shprehur ai.
Azemi ka thënë se presioni ndërkombëtar do të rritet, sidomos nga BE-ja, dhe se mungesa e një emisari amerikan në këto procese, e dëmton Kosovën.“Jam shumë i bindur se liderët e partive politike do t’i përgjigjeshin pozitivisht”.“Nëse ka vullnet e gatishmëri për të vazhduar me qeverisë me vendin, do ta bënte këtë kryeministri Kurti. Në të kundërtën, jep sinjale të ikjes nga përgjegjësitë. Presioni ndërkombëtar do të rritet, më shumë nga BE-ja. Mungesa e një emisari amerikan në këto procese, e dëmton Kosovën dhe i zvarritë ato”, ka përfunduar Azemi.