Nuk është i madh numri i lojtarëve që “mbijetojnë” gjatë në basketbollin kosovar.
Të huajt ndërrohen vazhdimisht, madje shumë nuk qëndrojnë në një mjedis as një gjysmë edicioni. Te skuadrat që kanë luksin të angazhojnë më shumë të huaj, vendorët, me pak përjashtime, kanë rol periferik. Por janë disa që luajnë kohë të gjatë dhe ia dalin të mbajnë formë konstante.
Një prej tyre vlerësohet të jetë Besnik Azemi i Trepçës. Azemi edhe këtë edicion është prej lojtarëve kryesorë të skuadrës mitrovicase. Ndonëse Trepça ka në përbërje plot lojtarë që kishin fituar titullin dhe kupën gjashtë vjet më parë, ka pasur një fillim dëshpërues të edicionit, duke i humbur pesë ndeshjet e para. Fundjavën e kaluar më në fund shënoi fitoren e parë, ndërsa pritjet prej Azemit dhe basketbollistëve të tjerë janë shumë më të mëdha nga tifozët mitrovicas. Edhe vetë Azemi pret dukshëm më shumë nga skuadra.
“Arsyeja që Trepça ka startuar dobët është se kemi filluar stërvitjet në javën që edhe ka nisur kampionati, pasi që klubi nuk ka pasur mundësi të organizohet më herët. Pauza ka qenë shumë, shumë e gjatë e po ashtu ka qenë pauzë pasive, pasi që nuk kemi stërvitur prej muajit maj. Dhe në kushte të tilla është normale të startohet në mënyrën si edhe startuam. Besoj që do të këndellemi. Tashmë kemi filluar të luajmë ashtu si pritet prej nesh dhe pres që shumë shpejt të kthehemi te rezultatet pozitive”, ka thënë Azemi në një bisedë për gazetën.