Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se s’do të pajtohen me asnjë pagë minimale nën 400 euro, raporton Ekonomia Online.
Azemi ka përmendur edhe diskutimet me MSH-në që edhe për punëtorët teknik në spital të ndahen shtesa ashtu si për mjekët e infermierët. E një gjë e tillë sipas tij nuk është realizuar as pas shtatë muajsh negociata.
“Nuk guxoj të them se cili do të jetë propozimi i kryeministrit për pagën minimale. Njëherë pati thënë 350 euro e më pas 250. Ne nuk duam të flasim se për cilën shumë e ka fjalën. Ne bëjmë me dije që nëse duhet biseduar për pagën minimale duhet me përfaqësuesit e sektorit privat dhe jo të tjerët. Neve nuk na pajton çfarëdo page që është nën 400 euro edhe pse kjo pagë është shumë e vogël”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp të mërkurën.
“Ne si punëtorë të sektorit privat kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që edhe punëtorët teknikë që punojnë në spitale, ambulanca dhe QKMF të na japin një konfirmim se edhe këtyre punëtorëve duhet që t’u jepet një shtesë prej 60 euro sikur mjekëve, infermiereve dhe të tjerëve. Edhe pas shtatë muajsh nuk kemi një vendim”.
Azemi theksoi se nëse shpërfillet kërkesa e tyre për pagë minimale në shumën prej 400 euro, fuqia punëtore do të vazhdojë të ikë nga vendi.
“Më shumë se 200 mijë punëtorë brenda katër muajve kanë aplikuar për viza pune, që të dalin jashtë”.
“Derisa në të kaluarën kemi pasur ikje të të rinjve pa ndonjë profesion, ose që nuk kanë qenë të angazhuar në punë, tani në vitin e fundit kemi rritje të profesionistëve që po ikin”, tha ai.
Ministria e Financave është në finalizim të Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij së shpejti do të dalë me propozimin për nivelin e pagës minimale.
Në fillim të mbledhjes së Qeverisë, të mbajtur sot, Kurti tha se rritja e pagës minimale do të bëhet me qëllim që njerëzve t’u mundësohet jetë më e dinjitetshme.
Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Por, sipas njohësve të kësaj fushe, në fakt shumica e pagave janë më larta.
Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro.