Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i AAK-së, Ardian Azemi ka thënë se nëse Kosova tërhiqet nga Jarinje dhe Bërnjak pa i shpartallu grupet kriminale atje, pa arrestuar asnjë nga ata që kryeministri Kurti i quan kriminelë e që unë nuk dyshoj aspak që janë kriminelë, atëherë ky quhet dështim i shtetit për ta shtrirë autoritetin në gjithë territorin.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se po kalon një javë dhe ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret në kufi.
“Kaluan një javë dhe ende institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret në kufi me Serbinë. Targat kryesisht i vendosin shqiptarët e Luginës. Shteti duhet të mundësoj qarkullim të lirë të njerëzve, të lirojë rrugë. Kosova ende nuk e ka bërë këtë, në fakt është dorëzuar para një grupi njerëzish të barrikaduar në Bërnjak dhe Jarinje”.
“Zyrtarë e militantë të partisë në pushtet akuzojnë paturpësisht të gjithë ata që mendojnë se ky aksion është kryekëput kalkulim politik në prag të zgjedhjeve lokale, pikërisht në fushatë. Ma përforcon këtë bindje fotografia me Njësitë Speciale të policisë e kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe mos koordinimi me faktorin ndërkombëtar”, ka shkruar Azemi.
Azemi ka thënë se nuk janë kundër asnjë mase reciproke e cila e mbron sovranitetin e shtetit, por sipas tij, ende jemi pa përgjigje pse tregu i Kosovës është i stërmbushur me mallra serbe.
“Si mund t’i duartrokasim një veprimi të këtillë të qeverisë kur tregu i Kosovës është i stërmbushur me mallra me origjinë nga Serbia, ndërsa Kosova nuk mund të eksportojë atje. Është shumë dyshues veprimi në Jarinje e Bërnjak për targat, ndërsa në anën tjetër hiqen tarifat për bllokat nga Serbia. E themi sërish, nuk jemi kundër asnjë mase reciproke e cila mbron sovranitetin dhe integritetin e shtetit, por jemi kundër secilit veprim të qeverisë që ka për qëllim dëmtimin e ekonomisë së vendit për interesa të ngushta”, është shprehur Azemi.
Sipas tij, Kosova do të detyrohet të tërhiqet nga kufiri, ndërsa kontrollin do ta marrin forcat ndërkombëtare, kësisoj shteti ynë dështon për ta shtrirë autoritetin në tërë territorin e tij.
“Kosova do të detyrohet të tërhiqet nga kufiri, ndërsa kontrollin ta marrin forcat ndërkombëtare, kësisoj rikthehet situata ashtu siç ka qenë. Pra, nëse Kosova tërhiqet nga kufiri pa i shpartallu grupet kriminale atje, pa arrestuar asnjë nga ata që kryeministri Kurti i quan kriminelë e që unë nuk dyshoj aspak që janë kriminelë, atëherë ky quhet dështim I shtetit për ta shtri autoritetin në gjithë territorin, pra dështim i shtetit përball disa personave të barrikaduar dhe të dirigjuar nga Beogradi përmes ministrit të Qeverisë Kurti, Goran Rakiq”, ka shtuar ai.
Azemi ka ndarë shqetësimin e tij lidhur me mos koordinimin e institucioneve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me ShBA-të, si dhe vizita e Presidentes Osmani që përfundoi pa ndonjë takim me zyrtarë amerikan gjatë vizitës në ShBA.
“Lajmi i cili qarkulloi dje për reagimin e Ambasadës Amerikane lidhur me aksionin në veri, është shokues. Nëse zyra e Presidentes thotë se ky lajm është i rrejshëm, atëherë duhet të ketë përgjigje; a ishin ndërkombëtarët, respektivisht Ambasada Amerikane në dijeni për aksionin?”.
“Kosova nuk qëndron aspak mirë me ShBA-të, këtë e vërteton fakti se Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në Amerikë nuk u pritë nga asnjë zyrtarë amerikan. Kjo nuk ka ndodhur më parë, asnjëherë gjatë qeverisjes 20 e kusur vjeçare. Orientimi kah Bashkimi Evropian duke bërë përpjekje me lënë jashtë lojës Amerikën, e ka koston e lartë, edhe pse është e pamundur kjo, sepse edhe po deshëm ta lëmë anash, nuk ia dalim, sepse nuk na lejojnë këtë, ngase nuk është në interes të Kosovës kjo”, ka përfunduar Azemi.