Presidenti i Azerbajxhanit po premton se kishat e krishtera do të mbrohen pas marrjes së zonave të kontrolluara nga armenët më parë, derisa këta të fundit kur po largoheshin i kanë djegur shtëpitë e tyre.
Zyra e presidentit Ilham Aliyev tha se ai premtimin për këtë e dha përmes telefonit kur bisedoi me presidentin rus Vladimit Putin, i cili po dërgon trupa paqeruajtëse në ato zona si pjesë e marrëveshjes që i dha fund luftimeve gjashtë javore mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno-Karabakhut.
Forcat etnike armene kanë kontrolluar Nagorno-Karabakhun dhe territore të tjera që nga viti 1994. Luftimet u rikthyen në shtator dhe përfunduan me marrëveshje sipas së cilës Azerbajxhani do të marrë kontrollin mbi territoret periferike, si dhe do t’i lejojë të mbajë pjesë të Nagorno-Karabakhut që i ka marrë gjatë luftimeve të fundit, raporton AP.
Territori i parë, Kalbajar, do të dorëzohej të dielën. Por, Azerbajxhani u pajtua minutën e fundit që t’u japë forcave armene dhe civilëve kohë deri më 25 nëntor që të tërhiqen.
Në Kalbajar ndodhet manastiri i njohur Dadivank dhe Kisha Apostolike armene. Të shtunën, punëtorë hoqën shumë prej objekteve të shenjta nga manastiri.
Sipas zëdhënësit presidencial të Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev, shtyrja e afatit për tërheqje u ishte dhënë armenëve me kërkesë të tyre me arsyetimin se ishte rënduar gjendja atmosferike dhe vështirësuar terreni për lëvizje.
Civilët kanë bllokuar trafikun në rrugën që çon në Armeni, derisa po përpiqeshin të largohen.
Azerbajxhani përbëhet 95 për qind me myslimanë dhe armenët frikësohen se kishat do të dëmtohen ose do mbyllen kur të marrin kontrollin mbi territoret.