Pesë persona janë futur ilegalisht në Finlandë me ndihmën e ID-së së tifozëve të lëshuara për Kupën e Botës dhe kanë aplikuar për të marrë statusin e azilit, ka njoftuar garda kufitare finlandeze të mërkurën.
Azilkërkuesit të nacionaliteteve nigeriane, marokene e kineze kanë arritur në vendin nikoqir të Kupës së Botës në futboll në Rusi, që u ka ofruar pronarëve të biletave hyrje pa vizë, shkruan sot Koha Ditore.
“Ne jemi përgatitur për këtë, pasi e kemi ditur se personat do të futen në Rusi pa vizë”, ka thënë Marko Saareks, kreu i rreziqeve dhe analizave pranë gardës kufitare në Finlandë. “Por ka qenë befasi se gjërat nisën në fillim të turneut”.
Ai ka thënë se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në shtetet baltike dhe në Poloni.
Finlanda është në zonën Shengen të Bashkimit Evropian, që përfshin 19 shtete, kufijtë e të cilave mund të kalohen pa kontrolle. Thirrjet kundër kufijve të hapur dhe emigracionit janë ngritur në shumë vende të Bashkimit Evropian që nga viti 2015, kur mbi një milion emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika, kanë vërshuar Bashkimin Evropian.