Me afrimin e zgjedhjeve partitë politike kanë nisur përpilimin e listave për kandidatët për deputetë.
Me siguri se garës zgjedhore të 11 qershorit do të hyjnë edhe kandidatë të rinj.
Sipas disa burimeve në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për kandidat për deputet, do të futet edhe Avni Dehari, babai i aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari shkruan Periskopi.
Ende nuk dihet renditja e Deharit në listë, mirëpo kandidimi i tij thuhet se tashmë është punë e kryer dhe pritet zyrtarizimi i tij dhe të tjerëve si kandidatë në këto zgjedhje.
Afërsia e Avni Deharit me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë evidente përgjatë viteve sa Vetëvendosje është angazhuar në politikë.
Avni Dehari ka qenë i angazhuar politikisht që në moshë të re. Ai ishte anëtar i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), bashkë me gruan e tij Xhemilen.
Nga viti 1981 deri më 1999 ka jetuar në Zvicër, dhe më pas ishte kthyer në Kosovë me familjen e tij, përfshirë dy bijtë e tij të ndjerë, Astritin e Arbnorin, rrethanat e vdekjes të të cilëve ligjërisht mbeten ende të pasqaruara.