Babai i Mesut Ozilit, Mustafa, ka thënë se ai do të pensionohej nga kombëtarja gjermane, sikur të ishte në vendin e të birit.
Ylli i Arsenalit është kritikuar në Gjermani pas takimit që pati para Botërorit me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Shumë persona të njohur kanë kërkuar ndëshkimin e Ozilit, sidomos pas paraqitjeve zhgënjyese për Gjermaninë së fundmi. Një nga ta ishte edhe Oliver Bierhoff, drejtori i përfaqësueses, që tha se Gjermania është dashur të mendojë të mos e ftojë fare në Botëror Ozilin.
“Sikur të isha në vendin e tij do të thosha: ‘Faleminderit, por kjo është mjaft’”, ka thënë 50-vjeçari Mustafa Ozil për “Bild”. “Ai është thyer, i mërzitur e i ofenduar, po, fansat e fishkëllyen gjatë Botërorit dhe në Austri dhe ai s’mund ta kuptojë përse. Ai nuk ka nevojë gjithmonë ta mbrojë veten. Ka luajtur për këtë kombëtare për nëntë vjet… dhe u bë kampion bote. Është gjithmonë se kur fitojmë, fitojmë bashkë, por kur humbim, humbim për shkak të Ozilit”.
Mustafa Ozil e ka quajtur absurde situatën rreth të birit të tij. Sipas tij, fotografimi me Erdoganin nuk ka qenë vendimi më i duhur, por ka thënë se Ozil s’e ka merituar trajtimin që po merr nga Gjermania.